Fiton çmimin kryesor të American Music Awards. Edhe Dua Lipa merr çmimin

Ceremonia e çmimeve “American Music Awards”, sikurse çdo event tjetër muzikor u mbajt live në Los Angeles. Taylor Swift ishte fituesja kryesore duke e rrëmbyer çmimin si  “Artistja më e mirë e vitit” dhe dy çmime tjera, “Videoklipi më i mirë” dhe “Artistja më e mirë pop/rock”.

Kjo është hera e gjashtë që Swift e rrëmben trofeun kryesor të ceremonisë “AMA”. Këngëtarja nuk ishte e pranishme në sallë për ta marrë çmimin, por përmes një videoje i falenderoi fansat e saj për përkrahjen që i kanë dhënë albumit të saj Folklore, i cili është publikuar gjatë karantinës.

Justin Bieber dhe TheWeeknd, ishin në mesin e fituesve duke i rrëmbyer nga tre trofe secili. Bieber u shpall “Artisti më i mirë pop/rock”, si dhe i fitoi dy çmime tjera për bashkëpunimin e tij me yjet e muzikës Country, Dan + Shay, në këngën shumë të pëlqyer nga publiku “10,000 Hours”.

Ndërsa The Weeknd  u shpall fitues në kategoritë “Artisti më i mirë i muzikës Soul/R&B”, “Albumi më i mirë Soul/R&B”, çmim ky i cili shkoi për albumin e tij të fundit “After Hours”.

Në mesin e fituesve të tjerë të mbrëmjes ishin edhe Dua Lipa. Bukuroshja me prejardhje shqiptare Dua Lipa, ishte nominuar në dy kategori por arriti të triumfojë në njërën prej tyre. Ajo fitoi çmimin “Kënga më e mirë pop/rock” për hitin e saj “Don’t Start Now”.

Bebe Rexha dukej fantastike me flokët e kuqe dhe e veshur me një kostum të bardhë seksi, teksa në ceremoni  interpretoi këngën “Bay I’m Jealous”, së bashku me artisten Doja Cat.

Fituesi kryesor në kategoritë e muzikës Latine ishte këngëtari, Bad Bunny, i cili i fitoi çmimet “Artisti më i mirë latin” dhe “Albumi më i mirë i muzikës latine”.  Justin Bieber dhuroi një spektakël të vërtetë duke kënduar hitet më të fundit  “Lonely” dhe “Holy”. Në skenë doli edhe këngëtari Shawn Mendes, ku interpretuan këngën Monster e cila u publikua të premten.

Klan Plus