Të abuzohesh nga njeriu që adhuron (Video) – TV KLAN

Të abuzohesh nga njeriu që adhuron (Video)

Dokumentari që ka tronditur botën për pedofilinë e Michael Jackson

“Të abuzohesh nga njeriu që adhuron”, kjo është e vërteta tronditëse që dokumentari “Duke lënë Neverlandin” ka bërë publike ditët e fundit. Ylli i pop-it, Michael Jackson vihet nën akuzë nga Wade Robson dhe James Safechuck, të cilët akuzojnë se janë abuzuar seksualisht nga këngëtari.

Intervistat e tyre kanë dalë për herë të parë në publik dhe gjatë dokumentarit ka edhe dëshmi të familjarëve të tyre që flasin për kohën kur fëmijët e tyre ishin të vegjël dhe qëndronin afër Michael Jackson me arsyen për t’u bërë të suksesshëm. Po ashtu për herë të parë në këtë dokumentar janë publikuar mesazhet zanore, fax-et apo letrat që këngëtari dërgonte në shtëpitë e fëmijëve dhe se si kanë udhëtuar me të në avionin e tij privat. Dy akuzuesit tregojnë se nuk janë paguar dhe se nuk presin të nxjerrin asnjë fitim nga dokumentari. Njëri prej tyre, Robson tregon edhe se sa e vështirë ka qenë për të pranojë që ka qenë abuzuar seksualisht nga personi që kishte idhull.

“Edhe pse ai kishte abuzuar me mua, nuk e pranoja dot që ajo që Michael kishte bërë me mua ishte një gjë e keqe”, thotë Robson.

Sipas dokumentarit, historia e tij nis kur fitoi një konkurs kërcimi në moshën 5-vjeçare. Gjatë konkursit ai u njoh me idhullin e tij. Abuzimi filloi dy vjet më vonë pasi Jackson u njoh me gjithë familjen. Robson thotë se në atë kohë mendonte se si me magji kishte gjetur mikun e tij më të mirë, deri në momentin që filloi ta abuzonte seksualisht, duke i thënë se kjo ishte një formë për të demonstruar dashurinë e veçantë që ata ndanin.

Ndërsa Safechuck thotë se abuzimi filloi kur ishte vetëm 10 vjeç dhe ndërkohë që tregon ai mban në dorë një kuti me disa xhevahire që Jackson i jepte atij që t’i bindej, ku mes tyre ishte dhe unaza që e kishte të njëjtë me vëllezërit e tjerë, si simbol familjar.

Sipas akuzuesve, Jackson u thoshte se do të shkonin në burg nëse tregonin sepse askush nuk mund ta kuptonte dashurinë e tyre dhe se njerëzit ishin të këqij. Kjo formë presioni bëri që fëmijët të mos i tregonin të vërtetën prindërve të tyre si dhe të mos akuzonin këngëtarin për pedofili. Cilado që të jetë e vërteta, ky dokumentar ka rrënuar figurën e yllit të pop-it. Dokumentari tregon qartë të gjitha veprimet që ai kryente, kontaktet private me familjet e djemëve në fjalë, vizitat e shpeshta tek ata dhe shumë të tjera.

Në përgjigje të këtyre akuzave, vëllezërit e Michael Jackson dhe nipi i tij hedhin poshtë të gjitha pretendimet e dokumentarit. Ata shprehen se janë të lodhur nga të gjitha supozimet që kanë dëgjuar për Jackson, pasi askush nuk ka paraqitur asnjë provë për ta akuzuar atë drejtpërdrejt. Në kohën e shfaqjes së dokumentarit kishte një turmë të madhe fansash të Jackson, të cilët mbanin një tabelë ku shkruhej se këngëtari ishte i pafajshëm.

Dokumentari “Duke lënë Neverlandin” duket se do të mbesë gjatë në memorien e njerëzve nëpër botë pasi dëshmitë tronditëse të Robson dhe Safechuck, të cilët tregojnë se si janë abuzuar nga Jackson kur ishin fëmijë janë të forta dhe tronditëse. Këto dëshmi kanë tronditur opinionin mbarë botëror, madje kanë bërë që në Britaninë e Madhe, “BBC Radio 2” të ndalojë transmetimin e këngëve të Michael Jackson. Ndërkohë qe edhe në Kanada, disa radio të rëndësishme të Kebekut hoqën nga transmetimi këngët e Jackson pas publikimit të dokumentarit./tvklan.al

Kategori
Lajme nga EmisionetTe funditTë gjithaVideo
0 Komente

Përgjigju

*

*