Kanë kaluar 23 vjet nga tragjedia e 1997-s, kur 81 persona humbën jetën në kanalin e Otrantos. Këtë të hënë në “Stop” erdhën 5 dëshmi ekskluzive të të afërmve të viktimave se si u njohën me ngjarjen dhe më vonë si u mashtruan nga avokatja Natasha Shehu. 

5 vjet pasi përfundoi çështja penale për këtë tragjedi, por ende sot, të afërmit e viktimave nuk kanë marrë paratë për shpirtrat e humbur. Avokatja Natasha Shehu mashtroi qytetarët fatkeqë, duke u marrë paratë sëbashku me bashkëshortin e saj, e duke i kërcënuar ata me lloj-lloj formash.

Shehu shfrytëzoi faktin që shqiptarët nuk kishin viza dhe u mori atyre prokura në letra të bardha me pretendimin se do t’i tërhiqte të hollat në emër të tyre dhe më pas do t’ua kthente. Ajo tërhoqi nga banka 1.3 milionë euro që u përkisnin një pjese të familjarëve të viktimave dhe menjëherë më pas zvarriti kthimin e tyre.

Familjarët e paditën Natasha Shehun për vjedhje në Brindizi. Ajo akuzohej se kishte përvetësuar nga shuma e tërhequr nga 30-40% të vlerave dhe në rastin e Vito Tahirajt kishte marrë të gjithë shumën.

Vito Tahiraj: 15 vite dhe nuk ka për t’i dhënë.

Dilaviz Sherifaj: Natasha prapë u tregua shumë hileqare dhe mashtruese. Duke mbajtur një shumë të madhe si atyre të Fierit dhe ata që kanë marrë të tjerë u ka mbajtur më shumë se sa duhet. Duke menduar kështu se më ka marrë në telefon, unë i kam thënë që paratë do i nisësh me bankë.

Mustafa Kaçupi: Firmosëm në fletë të bardhura. Të pambushura fletët. Ishim 30 veta. Mua më takonin rreth 220 milionë me tonat. Unë 70 milionë me tonat mora. I shoqi i saj na solli lekët.

Murat Ferko: Për tre persona kam marrë 70 mijë euro. Këto lekë na i ka sjellë në Fier bashkëshorti i avokates. Pasi morëm këto dolën llafet sa morën të tjerët që ishin me avokatë të tjerë. Aty e morëm në vesh që ajo na hëngri në besë, nuk na dha atë që na takonin.

Natasha Shehu nuk u mjaftua vetëm me vjedhjen e të hollave. Ajo u tregua agresive me ata që kërkuan të drejtën e tyre.

Vito Tahiraj: Unë kisha frikë që kur u nisa. Isha vetëm se më porositi që mos i thuaj njeriu që do marrësh lekët. Hip në kat të dytë më tha mua, është dera hapur. Unë gjithmonë mendoja se do ishte avokatja, jo bashkëshorti i saj. Do t’i jap të gjitha më tha mua. Ku është avokatja i thashë unë. Ai fliste shqip, jo mirë, por fliste. Më dha formularin që ta plotësoja. Unë s’di italisht i thashë unë. E dyta unë s’kam të drejtë të plotësoj formularë. Filloi të debatonte dhe më goditi. Në kohë unë bërtita. Familjarët ishin jashtë derës. Kur bërtita unë shtynë derën, u futën brenda. Ai bërtiste “policia, policia, policia”.

Vito Tahiraj tregoi se ndaj bashkëshortit italian të avokates nuk u mor asnjë masë. Ai iku, por u lidh me prokurorë dhe gjykatës në Vlorë. Madje edhe me një grup kriminal, me të cilin përndiqte familjarët e viktimave që guxuan ta padisnin për vjedhjen.

Pushime Çala: Pasi u kthye më merr në telefon. I them zonja Natasha të kam bërë një denoncim sepse ajo që më ke bërë mua ishte e padrejtë, plus që edhe më keni kërcënuar. Kur po ikja për në Romë kërcënohem nga dy persona. Fatmirësisht kisha dy vëllezër që më tërheqin. Dy javë mbrapa. Këtu ka ndenjur një muaj nuk shuhej flaka. Jam kërcënuar me rrëmbimin e fëmijës. Unë kam qenë e pasiguruar këtu. Familjarët më shoqëronin në çdo hap.

Për të justifikuar vjedhjen, Natasha Shehu tha se ishte vajza e paligjshme e ish-kryeministrit të Shqipërisë, Mehmet Shehu. Ky pretendim u hodh poshtë me fakte në mediat shqiptare. Ajo pretendonte në media se i kishte lënë i ati llogari në Zvicër.

Por pas marrjes së të hollave nga viktimat e Otrantos, ajo mori një apartament në Brindizi, autoveturë dhe një varkë. Natasha Shehu në një përgjim i drejtohet të shoqit: “Kjo është e atyre, pse nuk i harxhojnë lekët më mirë duke ushqyer ata shqiptarë që po vdesin nga uria”.

Dialogu u zhvillua pasi çifti gjeti një aparaturë përgjimi në makinë. Në 2010-n Natasha Shehu dhe bashkëshorti i saj u shpallën fajtorë, duke u dënuar me nga 6 muaj burg.

5 vjet pas vendimit të Gjykatës së Brindizit ajo u shfaq në mediat kosovare. Më vonë kandidoi për në Senatin italian, por pa fituar dot. Në 2019-n, ajo hapi zyrë avokatie në Tiranë, pranë Drejtorisë së Përgjithshme së Policisë./tvklan.al