Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, sëbashku me atë të Financave, kanë firmosur një shkresë ku i kërkojnë bashkive që të disiplinojnë shpenzimet dhe të ardhurat që do të përfitojnë nga nisja e aksionit në sektorin e ujit. Në praktikën e disa njësive vendore, rritja e të ardhurave nuk ka shkuar për zërin e investimeve, dhe as për shlyerjen e borxheve në sektorin e energjisë, por kanë shtuar pagat dhe bonuset për stafin.

 

“Sëbashku me Ministrinë e Financave kemi vendosur që ky proces të normohet në mënyrën e duhur. Pra, që këto të ardhura të paplanifikuara të mos përdoren siç ndodh ndonjëherë nga ndërmarrjet për shpenzime personeli apo blerë gjëra të panevojshme. Duhet të përdoren për të shëndoshur gjendjen financiare të kompanive si dhe për të likujduar detyrimet që mund të ketë ndaj sektorit të energjisë elektrike.”

Damian Gjiknuri ka inspektuar zyrën e Kujdesit ndaj Klientit të Ujësjellësit në Elbasan, ku ka vënë në dukje pakënaqësi në aksionin e nisur nga disa bashki, e përmirësim për disa të tjera.

 “Lufta ndaj informalitetit në sektorin e ujit të pijshëm ka hyrë në një fazë shumë intensive. Diku ka ecur mirë dhe diku ka nevojë për më shumë përmirësime. Këtu në Elbasan mendoj se ka nevojë për më shumë përpjekje.”

Qeveria do të nisë inspektimin e të gjitha ujësjellësve, e në bazë të arkëtimeve që kanë arritur do të japë ndajë edhe fondet për secilën degë të njësive vendore. Deri tani të ardhurat janë rritur me 5.2 milion euro më shumë se një vit më parë ndërsa janë lidhur 19 mijë kontrata të reja e 8800 aktmarrëveshje për të shlyer detyrimet.

Tv Klan