Ibrahimaj: Amnistia fiskale, nuk ka një datë për draftin

Të ardhurat në tetëmujorin e këtij viti janë rritur me 15 përqind. Kjo ishte shifra e paraqitur nga ana e ministres së Financave, Delina Ibrahimaj gjatë paraqitjes së treguesve makroekonomikë dhe financiarë në Shqipëri.

Turizmi është sektori që ka pasur një rritje të të ardhurave me 30 përqind ose 13,4 miliardë Lekë më shumë se një vit më parë. Më pas vijnë sektorët e ndërtimit, prodhimit, transportit dhe të shërbimeve.

Ministrja e Financave theksoi se Shqipëria vijon ta ketë nivelin më të ulët të inflacionit në rajonin e Ballkanit.

“Inflacioni në muajin Gusht rezultoi në nivelin 8%. Mesatarja e BE ka qenë gjithashtu më i lartë sesa inflacioni mesatar në vend prej 7.6%. Ndikimin kryesor e kanë pasur çmimet e ushqimeve dhe çmimet e transportit”, tha Ibrahimaj.

Sa i përket nismës për amnisti fiskale, Ibrahimaj theksoi se qeveria është duke punuar me partnerët ndërkombëtarë.

“Se kur do finalizohet drafti nuk e kam ende një përgjigje. Është një punë në proces që nuk mban ende një datë për miratimin. Nuk e dimë nëse do jetë në zbatim për zgjedhjet e vitit të ardhshëm”.

Sa i përket kateve pa leje të ndërtuara, Ibrahimaj theksoi se do vlerësimi do të realizohet mbi bazën e vlerës së tregut dhe jo mbi atë kostos së ndërtimit.

Tv Klan