Pranvera i është drejtuar emisionit “Stop” për një problem të babait të saj. Prej vitit 2012 ka qenë përfitues i kempit me statusin e të verbrit, grupi i dytë. Ndërkohë gjendja e tij është rënduar dhe Pranvera e ka marrë në shtëpi, për t’u kujdesur për të.

Në mënyrë që të përfitojë kujdestarinë, është drejtuar pranë Kmcap Epror, por tre mjekët që e kanë vizituar kanë thënë se gjendja e tij është rënduar dhe ka një dëmtim të parikthyeshëm.

Ndërkohë Pranvera thotë se i ati do kujdes 24 orë.

“Babi im nuk shikon, ka marrë kemp që në 2012 e deri tani, i grupit të dytë. Gjendja e tij tani është përkeqësuar. Iu drejtova doktoreshës që e ka ndjekur, më dha raportin dhe më tha do të bësh këto letra që të marrësh kujdestarinë. I bëra dhe më thanë që ka dëmtim të parikthyeshëm. Më këtë letër unë i paraqita tek Kempi Epror dhe nuk ma dhanë, më thanë që nuk shikon dhe se nuk kam cfarë t’i bëj. U thash që dua të marr kujdestarinë sepse e kam marrë në shtëpi. Për sa unë po kujdesem, pse mos ta marr?! Ato e kanë refuzuar se unë kisha këtë librezën e vjetër dhe babi im e ka marrë përgjithmonë grupi i dytë, ngaqë nuk kishte mundësi të lëvizte… Babi im ka nevojë për shërbim  24 orë, jo vetëm për një orë. Nga emisioni ‘Stop’ kërkoj të më ndihmojnë që unë të marr kujdestarinë e babit”.

Emisioni “Stop” iu drejtua një okulisteje, për të marrë mendimin e saj për ekzaminimet. Ajo tha se gjendja e pacientit është tejet e rënduar, megjithatë nuk është marrë parasysh nga Kmcap Epror, por mesa duket është parë vetëm libreza e tij, ku shënohet se është i verbër i grupit të dytë nga 2016-ta e përgjithmonë.

Ndërkaq një fije shpresë duket se është dhënë nga Shërbimi Social, ku me një fletë të ri drejtimi për kemp, do të përfitojë grupin e parë, e më pas kujdestarinë.

Mjekja Okuliste: Unë pashë ato ekzaminimet. Ato kishin dalë shumë keq. Unë po flas si mjeke okuliste, për të dhënë mendimin tim.

Gazetarja: Mendimin tënd për atë, që sheh, se ti nuk e ke patur pacient.

Mjekja okuliste: Ai kontrollohet nga Komisioni i tre mjekëve, që ishin aty okulistë, që janë mjekë shumë të mirë dhe nuk di, cfarë të them. Nuk e kuptoj, pse nuk e ka marrë.

Gazetarja: Gjëndja e tij ishte e rënduar me ato, që ju patë në ekzaminim?

Mjekja okuliste: Po mesa pashë unë, se normal në bazë të ekzaminimeve do thuash. Mua m’u duk, fusha vizive ishte sterrë fare, skandal. Edhe ositin edhe skanerin e syrit ishte goxha e dëmtuar. Po e keqja është, se nuk shifen këto të sëmurët, se kalon nga… Për këtë e kemi ngrit dhe si problem neve, që pacientët, që kalojnë për herë të parë, duhet të shihen nga Komisioni. Ata nuk shihen, kalojnë thjesht si dosje. Këto që pashë, ai do ta zgjidhi problemin, sepse nuk ka pse t’i mohohet e drejta, që ai ka. /tvklan.al