BBC ka kryer një investigim të thellë të trafikut të organeve që ndodh në Egjipt duke sjellë në dritë raste të rënda. E tillë është edhe Hiba. Ajo ka treguar se kishte pranuar të shiste veshkën, pasi trafikuesit i kishin ofruar para për dasmën. Pas operacionit, Hiba u bë dëshmitare e një tmerri të vërtetë.

“E gjej veten në dhomë pas operacionit. Po bërtisja. Plaga ishte shumë e madhe. Nuk e dija se do ta kisha në kurriz. U frikësova aq shumë. Po bërtisja: Kjo është gabim, më mashtruat”, tregoi ajo.

Trafikuesit e kanë shumë të thjeshtë që t’i rekrutojnë viktimat e tyre në Egjipt. Kjo pasi atje ndodhen rreth 5 milionë emigrantë dhe refugjatë, të cilët nuk kanë të drejtë të punojnë.

Në fakt, shitja e organeve është ndaluar në Egjipt që prej vitit 2010, por kryhen operacione të fshehta pa pajisjet e nevojshme mjekësore. Një mjek ka treguar se ky biznes është shumë i vështirë dhe njësoj si të bësh kumar me jetën.

“Është biznes shumë i rrezikshëm dhe po bëni kumar me jetën tuaj. Mund të vdisni shpejt, ose në vitet e ardhshme”, tha doktori Adnan Sharif.

Ndër të tjera, BBC bisedoi me një ekspert, i cili arriti të vinte kontakt me përfaqësuesin e një prej bandave që operon në Egjipt. Ky i fundit tregoi se grupi kriminal organizon 20-30 transplante veshkash në javë.

“Janë të përfshira spitale publike dhe private”, tha ai, i cili shtoi se në 40% të rasteve viktimat nuk paguhen.

Kështu ndodhi edhe me Hiban. Ajo donte të shkonte në polici për të denoncuar, por në Egjipt shitja e organeve është e jashtëligjshme dhe mendonte se do të dënohej.

“Do të shkoja, por më thanë që nëse i denoncoj policia mund të më arrestojë edhe mua. Unë e bëra këtë gabim s’dua që ta bëjnë vajzat e tjera. Mos shisni organe për para”, tregoi ajo.

Egjipti i dënon me vdekje trafikuesit e organeve./tvklan.al