Një 35-vjeçar ra në prangat e policisë së Tiranës, pasi akuzohet se dhunonte e mbante të mbyllur familjen e tij. Burime zyrtare të policisë bëjnë të ditur se autoritetet ndërhynë pas informacioneve se 35-vjeçari me iniciale J. Zh dhunonte në mënyrë të vazhdueshme bashkëshorten e tij dhe sa herë që largohej nga shtëpia e mbyllte atë brenda së bashku me nënën dhe vajzën e tij të vogël.
Gjatë kohës që nuk ndodhej në shtëpi, ai i monitoronte me kamera dhe u bllokonte valët e telefonit, në mënyrë që të mos kishin mundësi të komunikonin me njeri.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në bashkëpunim me Seksionin për Parandalimin e Dhunës në Familje dhe Mbrojtjes së të Miturve në DVP Tiranë, pas informacionit të marrë se një shtetas, ushtronte dhunë në mënyrë të vazhdueshme ndaj bashkëshortes së tij, si dhe e mbante të mbyllur atë, nënën dhe vajzën e tij, sa herë ai largohej nga banesa, menjëherë kanë organizuar punën për dokumentimin e plotë ligjor të rastit, dhe vënien e autorit të dyshuar, përpara përgjegjësisë penale.
Si rezultat, falë reagimit në kohë të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1, u arrestua J.Zh., 35 vjeç, banues në Tiranë. Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se 35-vjeçari, ushtronte dhunë në mënyrë të vazhdueshme ndaj bashkëshortes së tij, të cilën e mbante të mbyllur në banesë, së bashku me nënën dhe vajzën e tyre të mitur. Gjithashtu, nga verifikimet e kryera ka rezultuar se 35-vjeçari, sa herë largohej nga banesa, i monitoronte me kamera dhe ju bllokonte valët e telefonit duke mos i lejuar të komunikojnë me asnjë person”, tha policia në një njoftim për mediat.
Ndërkohë, gazetari i Klan News Besar Bajraktaraj raporton se çifti ishte i martuar prej 10 vitesh dhe se J.Zh., ishte tejet xheloz për bashkëshorten, duke i ndaluar asaj çdo lëvizje. Mësohet se xhelozia dhe sjelljet agresive të 35-vjeçarit ishin shtuar gjatë viteve të fundit. Në polici nuk ka pasur një denoncim nga gruaja dhe nëna e tij, por policia është mësuar me rastin pas informacioneve në rrugë operative dhe ka ndërhyrë.
Kamerat në banesë i janë gjetur në çdo hapësirë, përfshirë edhe tualetin, të cilat i monitoronte gjithë kohës. Bashkëshortja e tij, për shkak të situatës shumë të rënduar të dhunës, disa herë më herët ka tentuar të kryejë vetëvrasje. Në banesë janë gjetur dhe letra lamtumire që gruaja kishte shkruar.
Burime bëjnë me dije se ka dyshime që J.Zh., të ketë probleme të shëndetit mendor, por do të jetë ekspertiza që do të bëhet në vijim për të përcaktuar situatën e tij mendore. Gazetari raporton po ashtu se, edhe pse nuk kishte një denoncim, efektivët e Komisariatit nr. 1 trokitën në derën e J.Zh.,, por dera ishte e kyçur. Më pas kanë gjetur 35-vjeçarin, i cili i futi brenda në banesë.
Bashkëshortja e tij nuk ka thënë asnjë fjalë para hetusve. Ka qenë e ëma, H.Zh., e cila ka treguar se i mbante të kyçur dhe ushtronte dhunë mbi të tre. Bashkëshortja e J. Zh., për shkak të situatës nuk është në gjendje të mirë psikologjike./tvklan.al