“Baronët e drogës nga Shqipëria po tallen me sistemin tonë të deportimit, duke u rikthyer për të kryer edhe më shumë krime, pasi janë përzënë. Të gjithë ata që deportohen vendosen në një listë vëzhgimi dhe e kanë të ndaluar që të rifuten në vend…

“. Që në hyrje, në një shkrim ekskluziv të publikuar këtë hënë, e përditshmja britanike “Sunday Express” thotë se falë një hetimi, ka mundur të zbulojë raste të shumta, ku kriminelë shqiptarë, përfshirë trafikantë droge të sasive të mëdha, janë rishfaqur në Britani, ndonjëherë edhe brenda po të njëjtit vit që janë dëbuar. Në raste të tjera, ata janë rikthyer disa herë.

Zyrtarët shpresojnë që të paktën një kriminel, i cilësuar si lideri i një rrjeti të trafikut të qenieve njerëzore, që kishte tentuar të fuste me qindra emigrantë të Britani, nuk do të kthehet në Shqipëri, duke ulur kështu mundësinë që të rikthehet sërish në Britani. Bëhet fjalë për Alket Dautin, 31-vjeçarin e ekstraduar të premten në Belgjikë, ku do të vuajë dënimin me 10 vjet burg, të marrë në mungesë në Dhjetor.

Banda e Dautit, sipas asaj që shkruan “Express”, përdorte kamionistë të korruptuar për të trafikuar meshkuj, femra e fëmijë drejt Mbretërisë së Bashkuar, ndonjëherë duke përdorur kamionë frigoriferikë.

Javën e shkuar, policia në Blackpool tha se dy shqiptarë përballen me deportim, ndërsa një tjetër ndodhet në arrati, pasi autoritetet bastisën një fabrikë kanabisi në këtë qytet.

Një tjetër shqiptar, 25-vjeçari Esmerald Çuni, u dënua për përdorim të dokumenteve false greke të identitetit, nga Gjykata e Hull në Nëntor. Ai u gjet me drogë me vete, ndërsa shenjat e gishtërinjve treguan identitetin e tij të vërtetë. Çuni u gjet ilegalisht në Britani në 2015-n dhe u deportua, por u rikthye sërish. Këtë herë ai u kap me dokumente false dhe u fut në burg.

Pikërisht këtë problem të shtruar nga media britanike, rikthimin e kriminelëve të dëbuar në Britani e mbështet edhe deputeti konservator Philip Hollobone, i cili shprehet:

“Kontrollet aktuale në kufijtë tanë janë dukshëm jo të duhurat për të parandaluar krimin shqiptar në rrugët tona. Ndonëse po merren masa, ato nuk janë efektive”.

Shumë shqiptarë futen ilegalisht në Britani të fshehur nëpër kamionë që vijnë nga vende të Bashkimit Europian. Kur mbërrijnë atje, ata punojnë kryesisht nëpër lavazhe. Shumë prej tyre gjejnë zgjidhje tek trafikantë për të marrë mjete identifikimi false nga vende të BE.

“Express” thotë se një pjesë e madhe e atyre që janë në gjendje të rikthehen sërish në Britani janë pjesë e bandave të drogës, të Mafias Shqiptare, për të cilët Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA) thotë se kontrollojnë tregun e kokainës në Britani, për shkak të lidhjes së tyre direkte me kartelet kolumbiane të drogës, ashtu sikurse edhe kultivimin e kanabisit në shtëpi.

Media britanike rendit disa raste të shqiptarëve, të cilët janë rikthyer disa herë në këtë shtet.

Një trafikant droge shqiptar u deportua tre herë, por arriti të kthehej sërish në Britani për të katërtën herë, kur u gjet me 1 kilogramë kokainë, me vlerë 26 mijë paund dhe me 14 mijë paund kesh në shtëpinë e tij në Weedon, Northamptonshire.

42-vjeçari Baksim Bushati u deportua 3 herë mes 2005-s dhe 2013-s, por vijoi të rikthehej. Ai u dënua me 7 vjet burg për drogën e gjetur në 2014-n dhe do të deportohet sërish në Shqipëri.

Çlirim Malecaj, 32-vjeç, u dënua me 6 vjet burg në 2015-n, për rolin e tij në një bandë prej 20 shqiptarësh që përmbytën Manchesterin me kokainë. Në gjykatë u zbulua se ai kishte qenë edhe më herët i dënuar për një akuzë të ngjashme, ishte deportuar, por ishte rikthyer dhe kishte ushtruar sërish të njëjtin ‘profesion’.

Luis Gjergji, 34-vjeç, u arrestua nga NCA në Dunstable, Bedfordshire me 2 kilogramë kokainë dhe 42.200 paund në makinë. Teksa doli para gjykatës së Luton u zbulua se kjo ishte hera e dytë nën akuzë dhe në 2012-n ishte dënuar me 6 vjet burg për tentativën për të futur heroinë me vlerë 190 mijë paund nëpërmjet Dover-it. Ai u deportua, por u rikthye. Në Nëntor të 2014-s, ai u burgos për herë të dytë, për 13 vjet.

Dorian Puka, 24-vjeç, u kikthye në Britani pa mbushur ende vitin nga dëbimi. Vitin e shkuar ai u dënua nga gjykata e Kingston me 3 vjet e gjysmë burg për vjedhje.

Vehbi Shira u deportua fillimisht në Shqipëri në moshën 15-vjeçare, pasi u gjet duke punuar në një lavazh në Croydon, në 2015-n. Ai u deportua dy herë në 2016-n, por arriti të rikthehej dhe u kap me disa kilogramë kokainë dhe letra identifikimi portugeze false në Shtator të 2017-s. Këtë herë Shira u dënua me 3 vjet e 10 muaj burg dhe u deportua Korrikun e vitit të shkuar.

Duke folur për “Express”, një zyrtar i Home Office tha se Ballkani Perëndimor është një rajon të cilit po i jepet një vëmendje e madhe, duke punuar me qeveritë përkatëse për të rritur bashkëpunimin me qëllim kapjen e kërcënimeve të përbashkëta.

“Shtetas të huaj, të cilët kryejnë krime, duhet të deportohen me domosdoshmëri. Që prej 2010-s kemi hequr rreth 45,800 persona. Oficerët e Forcës Kufitare janë të trajnuar në mënyrë rigoroze për të dalluar dokumentet jo të rregullta, ndërsa portat tonë ePassport janë të pajisura me detektues të falsifikimeve dhe teknologjinë e njohjes së fytyrës”.

Ndërsa një zyrtar i NCA u shpreh se bandat kriminale shqiptare po zgjerojnë influencën e tyre.

“Londra është baza e tyre, por ata po vendosën nëpër të gjithë Mbretërinë e Bashkuar. Grupet e organizuara shqiptare janë të zotë për të krijuar lidhje me grupe të tjera. Kemi kryer mjaft hetime ku përfshihen shtetas shqiptar, kjo ka kontribuuar për të kuptuar më mirë grupet nga Ballkani Perëndimor”./tvklan.al