Zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Evropën, Matthew Palmer dhe i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, po qëndrojnë në Beograd pas vizitës në Prishtinë, në kuadër të përgatitjeve për rifillimin bisedimeve ndërmjet palëve.

Të dy diplomatët ritheksuan në Prishtinë se rruge integrimeve evropiane të Kosovës dhe Serbisë varët nga normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet tyre, ndërsa zoti Palmer tha se për Shtetet e Bashkuara synimi kryesor është njohja e ndërsjellë.

Këtë qëndrim pritet ta transmetojnë edhe në Beograd ku sonte takohen me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili ngulë këmbë për një zgjidhje kompromisi por ka ripërsëritur disa herë ditëve të fundit se nuk do të njohë pavarësinë e Kosovës, pavarësisht trysnisë nga perëndimi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Vuçiç, pritet të takohen për herë të parë nga mesi i këtij muaji në Bruksel në kuadër të bisedimeve të lehtësuara nga Bashkimi Evropian.

Kryeministri Kurti tha gjatë kësaj jave se takimi që do mbahet në Bruksel “është takim i parë dhe aty mund të shohim se cili mund të jetë kapitulli i ardhshëm i dialogut…nuk është vazhdim i dialogut të mëhershëm”.

Serbia kërkon që Kosova të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe reagoi me zemërim ndaj deklaratave të kryeministrit Kurti se “nuk do të ketë asociacion njetnik”.

“Se çka do të ndodhë me asociacionin, e ka thënë edhe peticioni i qytetarëve edhe veprimet e atëhershme opozitare e qe besa edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese. Në Kosovë nuk mund të kemi Asociacion njëetnik, pra është e domosdoshme që t’i integrojmë të gjithë qytetarët pa dallim etnie, të mos krijojmë ngrehina të cilat i ndajnë e i përçajnë ata”, tha kryeministri Kurti.

Presidenti serb tha se nëse zoti Kurti “nuk dëshiron të flasë për Asociacionin e komunave serbe, por që ne ta njohim Kosovën, atëherë ai nuk ka pse të vijë (në Bruksel)”.

Diplomatët perëndimor janë vënë në përpjekje për të përshpejtuar procesin e bisedimeve me shpresë për një marrëveshje para vitit të ardhshëm kur Serbia mban zgjedhjet parlamentare e presidenciale, gjë që do të çonte në një pezullim të ri të procesit të filluar dhjetë vjet më parë nga të dyja vendet që aspirojnë integrimet evropian. Por, pak vëzhgues besojnë në një mundësi të tillë.

Vizita e përbashkët e diplomatëve amerikan dhe evropian në Prishtinë dhe Beograd është pjesë e përpjekjeve për përshpejtimin e procesit por edhe për të përçuar mesazhin e bashkërendimit transatlantik kundrejt bisedimeve Kosovë-Serbi dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor, gjashtë vendet e të cilit aspirojnë integrimet evropiane.

Paralajmërimet për rifillimin e bisedimeve u përcollën me debate rreth disa dokumenteve joformale për zgjidhjen e çështjeve të hapura në Ballkanin Perëndimor që përfshijnë edhe ide për ndryshime kufijsh, të cilat janë kundërshtuar nga Bashkimi Evropian por edhe Shtetet e Bashkuara./VOA