Të dhënat e pasagjerëve do të përdoren vetëm nga një autoritet. Në pr/ligjin për mbledhjen, përpunimin dhe mbrojtjen e të dhënave të informacionit të pasagjerit në Republikën e Shqipërisë, të hedhur për konsultim publik përcaktohet se Sektori i Inteligjencës së Pasagjerit, “SIP”, është autoriteti i vetëm në vend për përpunimin e këtyre të dhënave.

“SIP-i administron bazën e të dhënave të pasagjerit dhe regjistron në mënyrë automatike apo manuale, të paktën, veprimet e përpunimit të të dhënave, që kanë të bëjnë me mbledhjen, përpunimin, transmetimin, shkëmbimin për përdorimin kombëtar dhe ndërkombëtar, ruajtjen, fshirjen/ shkatërrimin, pseudonimizimin dhe/ose anonimizimin e të dhënave, mbrojtjen dhe garantimin e të dhënave. Regjistrimet e konsultimit dhe të transmetimit të të dhënave duhet të dokumentojnë arsyen e kryerjes së këtyre veprimeve, datën dhe identitetin e personit që është njohur ose ka shpërndarë të dhënat e pasagjerit, si dhe identitetin e marrësve të të dhënave”.

Sipas projektligjit të dhënat e pasagjerit ruhen në sistemin e automatizuar të SIP, për një periudhë pesëvjeçare nga transmetimi i tyre. Me plotësimin e këtij afati, SIP fshin/shkatërron të dhënat e pasagjerit, si dhe rezultatet e përftuara nga përpunimi.

Në rastet e ndjekjes për qëllime penale, të dhënat e pasagjerit, pas kalimit të një periudhe prej gjashtë muajsh nga transmetimi, pseudonimizohen, përmes bërjes së padukshme për një përdorues, të të dhënave, që mund të shërbejnë për të identifikuar drejtpërdrejt subjektin.

Tv Klan