Dhimbja është e rëndë për çiftin e ri shqiptar Lindita dhe Veton Musai që u vranë tragjikisht në Australi më 31 Dhjetor. Jeta e tyre u pre në mes nga babai i Linditës, Osman Shaptafaj, i cili qëlloi me armë vajzën e tij Linditën, dhëndrin Vetonin dhe më pas veten duke mbetur i plagosur.

Të shtunën, trupat e pajetë të dy të rinjve u përcollën për në banesën e fundit në një ceremoni mortore që u mbajt në Melbourne.

Vëllai i Veton Musait, Drilon Musai, ka bërë një dedikim prekës për humbjen e dy njerëzve të tij të shtrenjtë.

Vetonin e konsideron “yllin e shndritshëm të familjes”, ndërsa Linditën si motrën që nuk e pati kurrë.

“Isha me fat që pata dy vëllezër të mahnitshëm, por kurrë një motër deri sa ti u shfaqe në jetën tonë. Dhe për një kohë, unë ndjeva dashurinë që një vëlla ka për motrën e tij. Ti kishe një hijeshi që edhe modelet e aktoret do ta kishin zili. Buzëqeshja jote rrëzonte pengesat më të mëdha dhe humori yt më bënte të shpërtheja në lot gëzimi”, shkruan Drilon Musai në një postim në Facebook.

Në vargjet e tij të ndjera, Driloni e përshkruan dashurinë e Vetonit dhe Linditës si një lidhje që gjithkush do ta kishte zili.

“Ju vendosët standarde për atë që konsiderohet si çift përrallash. E përsosur në çdo formë, brenda dhe jashtë. Unë humba një motër, prindërit e mi humbën një vajzë, dhe bota humbi një engjëll. Veton, vëllai im, shoku im më i mirë…Unë jam 30 vjeç, por pranë entuziazmohesha kur ti ktheheshe në shtëpi nga puna, sepse me ty pranë asnjëherë nuk ishte qetësi. Më ke bërë të qesh çdo ditë që kemi kaluar bashkë në këto 29 vite. Ti ishe vëllai im më i vogël, por shpesh të shikoja si vëllain e madh, e disa se mund të mbështetesha tek ty. Njeriu që jam bërë sot, jam falë teje, sepse ti ishe ylli më i shndritshëm në familjen dhe në jetën tonë dhe nuk do të jetë kurrë njësoj pa ty”.

Lindita dhe Veton Musai u vranë pabesisht ditën e Vitit të Ri nga babai i 25-vjeçares, Osman Shaptafaj 55 vjeç. Ai shkoi në banesën e çiftit dhe qëlloi të parën me armë vajzën e tij duke e lënë të vdekur në vend. Më pas qëlloi në drejtim të dhëndrit, duke e lënë të plagosur në gjendje të rëndë, por fatkeqësisht ndërroi jetë në spital.

55-vjeçari e drejtoi edhe armën nga vetja duke mbetur i plagosur. Mediat australiane shkruajnë sot se Osman Shaptafaj ka dalë nga rreziku dhe gjendja e tij është e stabilizuar. Policia pret që 55-vjeçari të përmendet dhe ta akuzojë zyrtarisht për vrasjen e çiftit Musai.

Mediat e huaja kanë zbuluar se Osman Shaptafaj ka qenë i divorcuar nga gruaja për shkak të problemeve në familje. Sjellja e tij me bashkëshorten dhe vajzën konsiderohej e dhunshme, e për këtë arsye ishte larguar nga banesa. /tvklan.al