Demi: Faleminderit që e arritëm këtë ditë dhe unë të pashë nga afër duke qarë

Të shumtë janë të ftuarit të cilët në studion e “Rudina” nuk kanë mundur t’i mbajnë dot lotët. Këtë herë, duket se ishte radha e vetë drejtueses së emisionit që të surprizohej dhe ta kishte të vështirë që të mbante lotët. Stafi i kishte përgatitur Rudina Magjistarit një insert, ku shqiptarë nga shtete të ndryshme të botës e përshëndesnin dhe e uronin për Krishtlindje. Një urim të veçantë e pati edhe vetë stafi i emisionit për eproren e tyre.

“Unë nuk e di, por mbeta pa fjalë. E falenderoj pafund stafin tim sepse e kam të jashtëzakonshëm, ju dua fort. Faleminderit shumë për këtë surprizë të jashtëzakonshme, si asnjëherë tjetër në jetën time”.

Por surpriza më e bukur ishte dedikimi që bashkëshorti dhe vajza Mia kishin për moderatoren e dashur. Lulet prej tyre e emocionuan pafund Rudina Magjistarin. Ajo hapi edhe dedikimin e Mias, që e ndau me gjithë publikun.

“Kjo është një kartolinë nga Mia ime, o shpirti i mamit. “Mami të dua”, e ka shkruar me shkrimin e vet, ka filluar të mësojë të shkruajë… zemra ime. Faleminderit shumë edhe dashurisë së jetës time, bashkëshortit tim, shumë faleminderit. Të dua shumë zemër”.

Lotëve nuk u shpëtuan as të ftuarit në studio, e madje as publiku. Në fund, me humor të ftuarit u shprehën të kënaqur që për herë të parë ishte Rudina Magjistari ajo që nuk mbante dot lotët.

“Shumë faleminderit që e arritëm këtë ditë dhe unë të pashë nga afër duke qarë”, tha gazetari Enkel Demi.

“Sepse gjithmonë na ka bërë Rudina, mua të paktën 4 herë më ka bërë të qaj në studio”, shtoi gazetarja Saranda Hoda./tvklan.al