Një klan kërkon të përfshijë familjen tonë në trafik…

Arbër Çekaj u dënua me 14 heqje lirie nga Gjykata Kundër Krimit dhe Korrupsionit për sasinë rekord të kokainës prej 613 kilogramësh, të zbuluar në 2018-n, në kontenierin e tij me banane.

Megjithatë, çështja ndaj tij vijon ende në Apel, aty ku sot u shty seanca për shkak të kërkesës së Çekajt për përjashtimin e dy gjyqtarëve.

Klan News raporton se kjo seancë qe një mundësi për Çekajn që të reagonte për arrestimin e babait të tij, Selim Çekaj. Ky i fundit u prangos një ditë më parë, pasi në kontenierin me banane të kompanisë së drejtuar nga 72-vjeçari u gjetën 49 kilogramë kokainë, që vinte nga Ekuadori.

“Po masakrohet e gjithë familja ime, arrestuat babain e kulakut. Babai im është 72 vjeç, profesor i nderuar. Edhe brenda familjes nuk po na trajtojnë njëlloj, mua ma çuan kontenierin në magazinë në Maminas, ndërsa babait ia hapën në port. Nuk kemi lidhje me drogën, është një klan i caktuar që kërkon të përfshijë familjen tonë në trafik”, mësohet të ketë thënë ndër të tjera Çekaj në seancë./tvklan.al