Vetëdeklarimi kryhet online tek faqja e Drejtorisë së Tatimeve

88 mijë e 600 persona të cilët kanë punuar në më shumë se një punë gjatë 2020 kanë afat deri në 30 Prill për të deklaruar të ardhurat e përfituara, proces i cili bëhet online.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve thekson se ky është një detyrim edhe për ata që kanë punuar në dy punë qoftë edhe për një muaj të vetëm, megjithatë numri i deklaratave të dorëzuara deri tani mbetet shumë i ulët.

Tatimi i të vetpunësuarve pritet të sjellë automatikisht rritje të tatimit të të ardhurave për këtë kategori, pasi do të përjashtohen vetëm njëherë nga tatimi zero deri në kufirin e 30 mijë Lekëve dhe nëse të ardhurat e dy pagave i kalojnë 150 mijë Lekë në muaj, atëherë do të tatohen për diferencën me 23% duke zbritur tatimin e paguar gjatë vitit.

Ndërkohë nëse një person është i punësuar në dy vende me pagë 30 mijë Lekë dhe paguan tatim zero, tashmë të ardhurat do të bashkohen dhe do të paguajë 13% për njërën nga pagat për 12 muajt e vitit 2020.

Në rast se individët nuk do të bëjnë vetëdeklarimin deri në 1 Maj ata do të përballen me penalizime sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Ndëshkimi është 5 mijë Lekë të reja për individin, gjithashtu do të dalin edhe detyrime tatimore të cilat veç detyrimit të paguar do të ketë edhe kamatëvonesa.

Drejtoria e Tatimeve thekson se kjo formë e tatimit shmang evazionin dhe sjell një vlerësim më të drejtë për ata persona që marrin të njëjtën shumë parash, por njëri individ e merr në një vend pune dhe tjetri në dy apo më shumë.

Sipas tatimeve, në 2020-n bënë deklarimin për të ardhurat 12.3 mijë individë që në 2019 kishin të ardhura më të larta sesa 2 milionë Lekë.

Klan News