Të enjten fillon viti i ri shkollor në Maqedoninë e Veriut


Të enjten fillon viti i ri shkollor në Maqedoninë e Veriut

20:40 30/09/2020

Nxënësit: Mësim të kombinuar ose bojkotojmë

Nga unioni i nxënësve të shkollave të mesme presin të shohin nëse nesër viti shkollor do të fillojë me platformë kombëtare stabile për mësim nga distanca, ose sërish në ekrane do të paraqitet “error”, për të cilën arsye kërkojnë përgjegjësi nga autoritetet arsimore.

Në qoftë se pasqyra epidemiologjike gjatë muajit Tetor është stabile, presin kthim gradual në shkolla, në të kundërt paralajmërojnë bojkot të mësimit online në Nëntor, thotë kryetari i unionit të nxënësve të shkollave të mesme, Blendi Hodai. Arsimtarët, një ditë para fillit të vitit shkollor, ende përpiqen t’i kuptojnë të gjitha operacionet e softuerit për mësim online.

Nga muaji Prill deri më tani pati kohë të mjaftueshme për përgatitje të një platforme stabile për mësim online dhe në qoftë nesër sistemi bie, si në ditët paraprake, Unioni i nxënësve të shkollave të mesme do të kërkojë përgjegjësi nga autoritetet arsimore. Kryetari i unionit, Blendi Hodai, thekson se “arsimi nuk është lodër”, përkatësisht se për shkak të digjitalizimit të pamjaftueshëm kërkojnë kthim gradual të fëmijëve në shkolla.

“Kemi bërë kompromis duke i respektuar epidemiologët, viti shkollor të fillojë nga distanca, por nëse gjendja epidemiologjike në Tetor është stabile, atëherë nxënësit duhet gradualisht të kthehen në shkollë me model të kombinuar. Në rast se kjo nuk ndodh çdo nxënës do ta bojkotojë mësimin në muajn Nëntor. Ky nuk është kompromis, por ultimatum për Carovskën dhe Filipçen”.

Ministrja Carovska u përgjigj me optimizëm se viti do të jetë i suksesshëm dhe se procesi arsimor do të ketë cilësi më të lartë.

“Nesër zyrtarisht do të fillojë viti i ri shkollor, 600 shkolla do të mbajnë mësim me prani fizike, ndërsa të tjerat mësim nga distanca, përmes platformës online dhe me transmetim të orëve në gjuhën maqedonase dhe në gjuhën shqipe, në televizionin kombëtar. Ky vit do të jetë shumë më ndryshe nga të tjerët sepse pandemia ka shkaktuar ndryshime të mëdha në jetët tona, ndërsa procesi arsimor për kohë shumë të shkurtër pati transformim të plotë”.

Përkundër besimit të Carovskës se 1600 arsimtarë kanë kaluar trajnimin për përdorim të platformës dhe i bartin njohuritë te kolegët e tyre, shumë prej tyre kanë hasur në vështirësi gjatë krijimit të klasës virtuale për çdo orë, me zgjedhje të nxënësve, emrat e të cilëve jo rrallë përsëriten, si dhe me operacionet tjera në platformën kombëtare, e krijuar në Fakultetin e Informatikës. Për fëmijet pa kompjuter në shtëpi ose për familjet me më shumë nxënës, autoritetet e sugjerojnë mësimin që do të transmetohet përmes televizionit.

Klan Macedonia



Të ngjashme