Në vijim të përshkallëzimit të aksionit të saj politik, opozita do të bllokojë pasditen e së enjtes akset kryesore që lidhin jugun dhe veriun me kryeqytetin, duke paralizuar qarkullimin e automjeteve.

Ndryshe nga protestat e kaluara përpara Kuvendit, ora 18:00 e të enjtes do t’i gjejë drejtuesit e opozitës dhe ish-deputetët e saj në 5 kryqëzime duke i prirë në protestë qytetarët. Në Tiranë, protestuesit e shoqëruar nga kreu i demokratëve, Lulzim Basha do të bllokojnë për të paktën një orë lëvizjen në rrethrrotullimin e sheshit “Shqiponja”.

Protestuesit e Elbasanit dhe juglindjes do të bllokojnë lëvizjen e automjeteve në rethrrotullimin e Bradasheshit. Ndërsa në Durrës, ish-deputetët e opozitës dhe protestuesit do të tubojnë në autostradën Plepa-Kavajë, përballë shtëpisë së pushimit të Ushtrisë. Protestuesit e veriut do të bllokojnë lëvizjen e automjeteve në kryqëzimin e Milotit.

Ndërsa në jug, mbështetësit e opozitës do të bashkohen në rrethrrotullimin e Shelqit. Kjo nuk është hera e parë që opozita nis mosbindjen civile.

Në Prill të 2017 drejtuesit e saj, me të njëjtat kërkesa edhe asokohe, kur kërkonin largimin e Kryeministrit dhe krijimin e një qeverie tranzitore, bllokuan disa herë radhazi akset kryesore në vend. Një vit më pas, lirimi 11 të arrestuarve dhe heqja e tarifës në Rrugën e Kombit ishin kauzat që e bëri Lulzim Bashën të radikalizonte sërish aksionin opozitar.

Tv Klan