Udhëtimet në fundvit janë kthyer në një trend për shqiptarët, të cilët preferojnë që gjatë kësaj periudhe festive të shkëputen nga tradita e vjetër e darkës me familjen në shtëpi. Gjithnjë e më shumë ata po largohen drejt destinacioneve të ndryshme jashtë kufijve.

E pikërisht për të folur për udhëtimet në vende të ndryshme të botës gjatë fundvitit, ishin të ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan katër personazhe, të cilët kanë spikatur për pasionin që kanë për udhëtimet.

Bëhte fjalë për Teuta Borava, ish-sipërmarrëse e turiste profesioniste, Debora Keci sportiste, Arjon Muça moderator dhe Era Rrumbullaku blogere. Gjatë emisionit, të ftuarit rrëfyen rreth udhëtimeve të tyre nëpër botë gjatë festave të fundvitit.

“Ndryshe nga vitet e fundit që kam zgjedhur Azinë, këtë vit zgjodha të qëndroj në Europë dhe ndërrimin e viteve e kalova në Berlin. E startova udhëtimin me një javë në Paris, më pas në Punta Cana në një atmosferë ndryshe, u ktheva sërish në Europë në Pragë dhe Madrid dhe për Krishtlindje dhe Vit të Ri në Gjermani”,

tha Teuta Borava.

“Fundviti përgjithësisht të jep më shumë mundësi për pushime dhe zakonisht lëvizim. Zgjedhim të kalojmë jashtë ose Krishtlindjet ose Vitin e Ri. Këtë vit, por edhe vitin e kaluar ishim në Pragë për Krishtlindje, por për Vitin e Ri këtë vit nuk kishim dëshirë të qëndronim në Europë dhe vendosëm të shkojmë në Egjipt. Ndoshta nuk ishte vendi tipik për të kaluar Vitin e Ri sepse vendet myslimane nuk është se e festojnë shumë ndërrimin e viteve. Megjithatë e kishim në listën e pikësynimeve tona për ta vizituar dhe vendosëm. Nuk qëndruam në një vend sepse nuk na pëlqen”,

tha Debora Keci.

“Unë isha në Pragë për festa, pata mundësinë pas shumë vitesh të them të vërtetën sepse për shumë kohë kam preferuar t’i kaloj me të shtëpisë. Por kësaj here vendosa të bëj një mini tur Vienë-Pragë. E nisa nga Viena, qëndrova një ditë, më pas kalova në Pragë për Krishtlindje dhe më pas u riktheva sërish në Vienë për Vitin e Ri. Unë e kisha parë Vienën shpeshherë dhe më kishin thënë që Praga është një Vienë e vogël, por ishte një ndërthurje mes Vienës dhe një shteti totalisht gotik. Praga është një qytet që në çdo stinë të vitit është plot me turistë”,

tha Arjon Muça.

“Këtë vit unë zgjodha Stambollin, nuk është një zgjedhje e rastësishme, kam festuar edhe vjet Vitin e Ri në Stamboll dhe kam ngelur e mahnitur nga organizimi. Nuk e prisja të ishte aq mirë dhe mendova që edhe këtë vit ta kaloj po në Stamboll. Stambolli ka shumë për të parë, sado që të qëndrosh sërish do të gjesh gjëra për të parë, është një qytet i stërmadh. Edhe Stambolli hyn në ato qytete që duhet parë në këmbë, duhet shijuar. Në urën e Bosforit bëhet një spektakël i madh fishekzajrresh dhe shumë njerëz zgjedhin lokalet pranë urës për të kaluar ndërrimin e viteve”,

tha Era Rrumbullaku.

/tvklan.al