Që nga mesi i muajit shtator e në vazhdim, Policia e Shtetit ka nisur një operacion të gjerë policor për parandalimin e ngjarjeve kriminale, ndëshkimin e autorëve të veprave penale dhe kontrollin e plotë të territorit, përmes operacionit të koduar “Ndëshkimi i të fortëve”.

Brenda kësaj jave janë arrestuar 54 persona, të identifikuar me precedentë kriminalë apo si prishës të rendit, të konsideruar si “Të fortë’, arrestimi i tyre është bërë për armëmbajtje pa leje apo se janë në kërkim kombëtar e ndërkombëtar.

12 persona të arrestuar, me precedentë penalë;19 persona të shpallur në kërkim kombëtar apo  ndërkombëtar; 18 të arrestuar, si prishës të rendit; 5 të arrestuar për akuzën e “armëmbajtjes pa leje”

Ndër provat e sekuestruara gjatë kontrolleve të ushtruara gjatë javës që lamë pas në akset rrugore, banesa, lokale janë sekuestruar: 8 armë zjarri; rreth 3.6 kg Kokainë e Heroinë; rreth 110 kg Cannabis.

Kështu dje në Kurbin, në vijim të Forcës së Ligjit në Territor, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, kanë finalizuar me sukses operacionin “Gjorm” ku si rezultat është sekuestruar 96 kg Cannabis dhe është prangosur poseduesi i saj, Agron Tafaj, 46 vjeç.

Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare në Morinë kanë bërë ndalimin e një shtetasi kosovar nga Istogu të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Viena, Austri.  Ai është Skënder Dekaj, 61 vjeç, banues në Istog, Kosovë.

Gjatë veprimit të Forcës së Ligjit në Territor në kuadrin e operacionit policor “Ndëshkimi i të fortëve” nga strukturat vendore të Policisë, që prej datës 20 Shtator kur kanë nisur kontrollet, në total janë arrestuar rreth 390 persona në kontrollet proaktive në territor:

Ndër provat e sekuestruara gjatë kontrolleve të ushtruara ndaj tyre në akset rrugore, banesa, lokale etj., janë sekuestruar 57 armë zjarri të llojeve të ndryshme, mina me telekomandë, tritol e municion luftarak.

/tvklan.al