Familjarët marrin çekun e bebes

Vajzë dhe djalë janë dy bebet që kanë ardhur në jetë minutat e para të 2020-s në kryeqytet. Në maternitetin “Koço Gliozheni” fëmija i parë i lindur ishte djalë, ndërsa në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”, ka ardhur në jetë një vajzë e pagëzuar me emrin Emel.

Te porsalindurit janë vizituar në orët e para të mëngjesit nga kryeministri Rama dhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

“Për vitin 2019 janë mbi 37,180 të porsalindur që kanë përfituar bonusin e bebes, prej tyre mbi 10 mijë të lindur jashtë vendit”, tha ajo.

Veç urimeve kryeministri iu ka dorëzuar nënave të reja dhe çekun e bebes, të cilin prej 2019-s e përfiton çdo fëmijë që vjen në jetë.

Pas vizitës dhe urimeve për të gjithë fëmijët që erdhën në jetë të parët në 2020, kreu i qeverisë ka uruar dhe stafin mjekësor.

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu informoi kryeministrin dhe mbi ecurinë e projektit të rehabilitimit që do të përfshijë maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” i cili u dëmtua nga 2 tërmetet që goditën vendin në vitin 2019.

Tv Klan