Sonte në studion e “Opinion”, Adriatik Lapaj sqaroi pse në listat e mbyllura të koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” u fut edhe emri i babait të tij, si kandidat për deputet në Berat. Lapaj tha se e gjitha ishte një formulë e mirëmenduar dhe se emrat janë, jo vetëm fiktivë, por dhe ironi ndaj sistemit politik.
-Si ka qenë puna e vendosjes në lista të prindërve tuaj? Në momentin e parë, duke mos kuptuar trukun, ishte skandal, se tani të fusësh babin në listë apo fëmijët… m’u duk e pa sens!
Adriatik Lapaj: Kjo është lista e Tiranës, është pak e ngarkuar, por kështu vajti kjo punë. Tani subjekti ynë është numri 6. Ligji përcakton që ka dy lloj listash në të njëjtën listë, e hapur dhe e mbyllur. Te lista e mbyllur nuk ka garë, nuk votohet, vihen emrat e kryetarëve. Te lista e hapur votohet! Që të shkosh në Parlament nga lista e hapur ku është gara, duhet të marrësh më shumë se sa lista e mbyllur. Në Tiranë duhet të marrësh 12, pastaj i 13-ti mund të hyjë. Kjo është e mbyllur për partitë e reja.
-Jam dakord se nuk lë garë…
Adriatik Lapaj: Unë kurrë nuk do shkoj në Parlament si deputet në lista të mbyllura, për këtë arsye do regjistrohesha në listë të hapur në çdo rast. Duke qenë se vendosa këtë standard, ne kishim dy vite të jetës tonë që po luftonim për lista të hapura.
-Pse familjarët? Se kjo tregon mosbesim te njëri-tjetri…
Adriatik Lapaj: Ne thamë që do djegim listat e mbyllura, për të bërë garë. Jam i 18-ti në Tiranë, ndërkohë këta të tjerët janë renditur në lista të mbyllura, rrinë rehatë si zotërinj. Unë e kam më të lehtë i parë në listë të hapur në Tiranë apo në listë të mbyllur?! U ulëm diskutuam, thamë çfarë mund të bëjmë si ironi ndaj sistemit. Ne po luftojmë për të hequr baballarët dhe gjyshërit e politikës, për të sjellë të rinj. Tani, zoti Rama është në një moshë me babanë tim, ndërsa zoti Berisha ka moshën e gjyshërve të mi, që nuk i kam më dhe unë i uroj jetë sa më të gjatë. Ne morëm prindërit tanë për ironi ndaj prindërve dhe gjyshërve të politikës që nuk po e hapin rrugën. Kjo ka qenë arsyeja. Futëm familjarët për të krijuar edhe besim te ata që janë në lista, që do ishte formulë… Kjo si për të thënë që dal garant që ky tërhiqet…
/tvklan.al