“Të gatshëm të ndihmojmë transformimin e FSK-së në ushtri të rregullt”



“Të gatshëm të ndihmojmë transformimin e FSK-së në ushtri të rregullt”

20:10 01/05/2021

Ministri kroat i Mbrojtjes flet për bashkëpunimin me Kosovën

Ministi i Mbrojtjes i Kroacisë, pas takimit të së premtes me mysafirin e tij nga Prishtina, ministrin Armend Mehaj, tha se është biseduar për bashkëpunimin dypalësh në fushën e mbrojtjes, si dhe në kuadrin e NATO-s, përkatësisht të misionit të KFOR-it në Kosovë.

‘Ky ishte një rast të theksojmë rëndësinë e transformimit të Forcës së Sigurisë të Kosovës në një ushtri të rregullt. Kroacia është e gatshme të mbështesë këtë proces. Ky bashkëpunim do të jetë një lidhje shtesë e vendeve tona në aspektin politik, ushtarak e ekonomik,’- tha ministri kroat i Mbrojtjes duke lënë të kuptohet se Memorandumi i mirëkuptimit që pritet të firmoset së shpejti ka për të çuar përpara bashkëpunimin dypalësh.Sipas tij, Kroacia tash disa vjet po mbështet forcat e Sigurisë të Kosovës përmes përçimit të përvojave e aftësimit të kuadrit të saj. Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, tha se ‘Kroacia është aleat dhe partner rajonal i Kosovës’.

‘Siguria dhe stabiliteti rajonal mund të arrihen vetëm nëqoftëse bashkëpunojmë,’- deklaroi ministri Mehaj duke nënvizuar se Kosova e shikon Kroacinë si një mentor leksionet e mësuara të së cilës do ta ndihmojnë vendin në rrugën drejt integrimit në NATO. Rrjedhimisht, deri tani në Kroaci kanë përfunduar shkollimin 60 pjesëtarë të FSK-së, ndërsa në Kosovë aktualisht, në kuadrin e KFOR-it, ndodhen dy helikopterë dhe 34 ushtarë kroatë. Ministri Banozhiq paralajmëroi se kontigjenti i ushtarëve kroatë nga ky muaj do të numërojë 150 ushtarë.

Klan Macedonia







Të ngjashme