Të gjitha detajet për vrasjen e 20-vjeçares në Greqi, nga akuza për shqiptarët tek zbulimi i autorit të vërtetë




Të gjitha detajet për vrasjen e 20-vjeçares në Greqi, nga akuza për shqiptarët tek zbulimi i autorit të vërtetë

21:05 19/06/2021

Dy ditë më parë është zbardhur një nga ngjarjet më të rënda që ka ndodhur në Greqi vitet e fundit. Prej datës 11 Maj, në Greqi, por jo vetëm, në qendër të vëmendjes ka qenë vrasja e 20-vjeçares, Karolina, e cila jetonte në ishullin Alonissos.

Policia e gjeti atë pak pas mesnatës të lidhur dhe të dhunuar, por ashtu dhe burri i saj ishte i lidhur. Mediat greke dhe policia e vendit fqinj deklaronin se kishte ndodhur një grabitje, e cila nuk kishte shkuar sipas planit dhe grabitësit kishin vrarë të renë. Kjo përforcohej dhe nga dëshmia e 32-vjeçarit, Charalambos Anagnostopoulos, i njohur dhe me emrin Babis.

Me profesion pilot, Babis deklaroi para policëve se kishin qenë tre grabitës që kishin hyrë në shtëpinë e tij dhe ishin ata autorët e vrasjes së 20-vjeçares Karolina.

Hetuesit u kthyen disa herë në shtëpinë ku ndodhi ngjarja dhe mblodhën prova të tjera, por dhe dëshmi më të plota nga piloti 32-vjeçar. Në bazë të dëshmisë u rindërtua e gjithë ngjarja, por që në fund të hetimeve u zbulua se gjithçka ishte një fantazi e tij.

Mediat në Greqi për ditë me radhë akuzuan dhe shqiptarët se ishin të përfshirë në këtë ngjarje, pasi dëshmia e Babis të çonte tek ta. “Flisnin shqip, ose një gjuhë të ngjashme me shqipen”, kanë qenë disa nga deklaratat që mediat e vendit fqinj ia atribuojnë Charalambos Anagnostopoulos.

Por teksa ditët kalonin dhe presioni mbi hetuesit shtohej, duket misteri i natës së 11 Majit ishte zgjidhur. Policia greke që prej natës së vrasjes kishte mbajtur kontakte të vazhdueshme me Babis dhe së fundmi i kishte kërkuar atij që të paraqitej në selinë qendrore në Athinë, pasi do të identifikonte një të dyshuar.

Një helikopter shkoi në ishullin Alonissos dhe 32-vjeçari u dërgua në Athinë. Por ky duket se është dhe udhëtimi i fundit në liri për 32-vjeçarin, pasi prej të enjtes ai qëndron i burgosur për vrasjen e gruas së tij.

Për 8 orë me radhë hetuesit e morën atë në pyetje dhe e ballafaquan me provat që ata kishin grumbulluar për më shumë se 1 muaj. Gjithçka fliste kundër tij dhe Babis Anagnostopoulos ‘u thye’ dhe pranoi vrasjen e gruas.

Po ashtu ia rrëfeu me detaje para hetuesve përse kishte vrarë gruan dhe planin e tij për sajimin e grabitjes. 32-vjeçari ka treguar se kohët e fundit me Karolinën kishte pasur debate të shumta dhe në 11 Maj kishte vendosur që ta vriste pasi nuk e duronte dot më.

Ai në rrëfimin e tij ka thënë se ka dashur që të zhdukte dhe kufomën, të vriste dhe qenin, që ngjarja të dukej më e besueshme. Sipas tij grabitja ishte një sajesë që hetuesit të mos dyshonin për të, por të përqendroheshin në kërkim të grabitësve. Tashmë 32-vjeçari ndodhet në paraburgim dhe pritet që të përballet me gjykatën.

Nga ana tjetër mediat në Greqi kanë publikuar dhe ditarin e Karolinën, ku janë rrëfimet e 20-vjeçares që tregon se që prej Nëntorit të vitit 2019 ajo kishte pasur debate me bashkëshortin dhe martesa ishte shkatërruar./tvklan.al





Të ngjashme