Emisioni “Shije Shtëpie” mëngjesin e kësaj të hëne në Televizionin Klan u ndal tek konsumimi i tepërt i sheqernave dhe ëmbëlsirave. Të gjithë jemi disi të varur nga ëmbëlsirat dhe sheqernat. E kush nuk i pëlqen?!

Edhe pse mund të përpiqemi shumë për një arsye apo për një tjetër që të heqim dorë, ndonjëherë është thjesht e pamundur. Për këtë mjekja Tea Shehu, jep përgjigjen se përse trupi jonë është i varur nga sheqernat.

“Receptorët tonë të shijes me marrjen e sheqerit fillojnë dhe çojnë sinjale në tru duke çliruar dompaminë në një nga bërthamat e trurit, e cila është bërthama që tregon varësinë ndaj drogave dhe jep sinjalet e kënaqësisë. Në mënyrë që kjo sjellje të bëhet impulsive, më pas çohen dhe opiate të cilat janë të tjera lëndë, që janë përgjegjëse për euforinë që na jep sheqeri. Duke i bërë të dyja bashkë, kjo është një sjellje që bëhet shumë e shpeshtë me kalimin e kohës dhe gjithmonë e më shumë. Sa më shumë të kalojë koha, aq më shumë sheqer do të duhet për të arritur atë që po arrinim më përpara. Në gjithë këtë kontekst kjo është një varësi që shoqërohet dhe me shenja kronike. Pacientët kanë një dëshirë të madhe për ta konsumuar sheqerin dhe ndjehen keq kur nuk e konsumojnë atë, gjithmonë me sasi të shtuar. Më vonë kjo fillon dhe bëhet e dëmshme për organizmin.”

Më tej në mënyrë të përmbledhur Tea Shehu tregoi se konsumimi i tepër i sheqerit jep pasoja fizike , por dhe biologjike në trupin tonë. Ndër to ajo përmendi dhe lodhjen e pankreasit.

“Sheqernat që ne konsumojmë pasi treten në zorrë dhe kalojnë në qarkullimin e gjakut, nxisin çlirimin e insulinës. Insulina është çelësi që i bën ato të përdorshme për qelizat, i fut brenda në qelizë. Sa më i thjeshtë të jetë ai sheqer dhe sa më shumë të bëjë përqendrim të lartë në gjak, aq më shumë do të lodhet pankreasi në një moment të caktuar. Me kalimin e kohës kjo lodhje e pankreasit do të çojë në shtim në nevojave dhe në pasoja të tjera fizike e biologjike të organizmit.

Mjekja shtoi se në fakt i gjithë sistemi jonë ndikohet dhe preket nga rreziqet e konsumimit të shtuar të sheqerit. Diabeti, sytë, veshkat, veshja e mëlçisë me dhjam janë disa nga efektet që jep sheqeri i shtuar në gjak.

“I gjithë sistemi jonë është programuar që të ketë nivele normale të glikemisë në gjak, që janë esëll 70-100, ndërsa pas buke me vlerat dikur tek 140. Vlera mbi këtë normë është parë që të shoqërohet me komplikacione multsistemike në të gjithë organizmin. Dhe arsyeja është shumë e thjeshtë. Ne enë gjaku kemi kudo, nga maja e flokut deri tek këmbët. Gjithë pjesët e trupit tonë mund të preken nga këto pasoja të nivelit të lartë të sheqerit në organizëm. Gjithashtu kur këto janë kronike dhe të zgjatura në kohë shoqërohen me çrregullime patologjike të mirëfillta.”/tvklan.al