Për festivalet ndërkombëtare të filmave, atyre më të rëndësishëm dhe më pak, filmat e Xhanfize Kekos mbeten më të pëlqyerit për t’i përfshirë në programet e tyre. Rrugëtimi i krijimeve të regjisores së vetme grua të filmave për fëmijë ndalet në Çeki.

Në seksionin “Zbulo dhe eksploro Ballkanin” në “Festivalin e Filmit në Zlin”, Shqipëria i prezantohet publikut me “Mimoza Llastica” dhe “Tomka dhe shokët e tij”.

Genc Përmeti që është edhe distributori i tyre thotë se interesi i kritikës për ta njohur botën me Xhanfize Kekon është: “Përqasja stilistikore e autores, me zgjuarsi zgjodhi të bënte tema të trajtuara në këndvështrimin e fëmijës. Kishte dhe avantazhin që mund të eksperimentonte nëpërmjet formës, pra duke futur sekuenca ëndrre, apo qoftë edhe këndvështrimet e kamerës”.

“Historitë e fëmijëve janë universale, për shembull kur xhirohej një film, kur ishte projeksioni i filmit në festival ka pasur edhe të qara nga publiku austriak, sepse e përjetuan atë moment, atë krizë të familjes siç e përjeton çdo familje në botë”.

Përfitimi i Shqipërisë?

“Në radhë të parë është imazhi, në radhë të dytë ne tregojmë që kemi industri”.

Suksesi nuk do të ishte i mundur pa restaurimin e një pjesë të krijimtarisë e cila është në pritje të zgjerimit të listës së filmave që i përgjigjen parametrave që teknologjia e sotme ta kërkon.

“Së shpejti do të kemi dhe “Qyteti më i ri në botë”, jemi në procesin e negocimit që të bëjmë edhe “Beni ecën vetë”.

Lajmi i mirë!

“Jemi në pritje të një konfirmimi në një ndër vendet më të mëdha kinematografike që njihet në botë, por për momentin nuk mund të them më tepër se kaq”.

Tv Klan