Të rinjtë u shfaqën kokulur në gjykatë pas vrasjes së shokut

Të rinjtë që u përfshinë në vrasjen aksidentale të shokut të tyre 27-vjeçar Mehmet Qema u shfaqën kokulur në sallën e gjyqit ku u njohën me masën e sigurisë.

Pavarësisht kësaj Gjykata la në burg Marius Demën, 28-vjeçarin që shkrepi pistoletën duke i shkaktuar vdekjen mikut të tij, ndërkohë që ishte duke luajtur me armën.

Në sallën e gjyqit Marius Dema deklaroi se Qemën e kishte si vëlla dhe gjithçka ndodhi aksidentalisht, teksa po luante. Ndërkohë të rinjtë e tjerë që ishin në tavolinë bashkë me viktimën ditën e vrasjes gjykata i liroi nga qelia.

Për Xhuljano Koçin dhe Frenkli Myftarin u la masa ‘arrest shtëpie’, për Erlind Pekën, Blerim Hotin, Marjus Halilin si dhe Eder Pjetrin “detyrim paraqitje”.

Gjatë seancës gjyqësore, Prokurori teksa përshkroi momentet e ngjarjes theksoi se të gjithë shokët po konsumonin ushqim dhe pije para se të ndodhte vrasja e Mehmet Qemës.

Ngjarja e rëndë ndodhi pak ditë më parë në rrugën “5 Maj” në kryeqytet. Të gjithë të rinjtë ishin bashkë me Qemën, ndërsa Marius Dema i cili mbante një armë pistoletë në dorë ka qëlluar, plumbi i së cilës i mori jetën shokut të tij.

Dema, u vetëdorëzua disa orë pas krimit, ndërsa para grupit hetimor tha se ishte i tronditur nga ajo që kishte ndodhur. Sipas tij, ai nuk e dinte që pistoleta kishte plumb.

Tv Klan