Rrjetet sociale tanimë i kanë shpallur luftë të hapur presidentit amerikan Donald Trump për shkak të postimeve që ai publikon.

Për këtë arsye edhe aplikacioni i njohur Snapchat ka ndaluar së promovuari llogarinë e Donald Trump. Si rezultat, ajo nuk do të shfaqet më në seksionin ‘Discover’ ku shfaqen profilet e njerëzve. 

Vendimi u mor pasi Trump shkruante se “qentë e egër” dhe “armët shkatërruese” do të përdoren për protestuesit nëse ata shkelnin gardhin e Shtëpisë së Bardhë.

Aplikacioni Snapchat ka deklaruar se kreu i SHBA-ve po nxit dhunën racore dhe në këtë rast postimet fshihen automatikisht. Sipas aplikacionit dhuna racore dhe padrejtësia nuk kanë vend në shoqëri dhe se drejtuesit qëndrojnë së bashku me të gjithë ata që kërkojnë paqe, dashuri, barazi dhe drejtësi në Amerikë.

Ky vendim vjen një javë pasi edhe Twitter i quajti postimet e presidentit amerikan si potencialisht mashtruese, teksa kreu i SHBA-ve kishte shkruar se votimet me postë do të manipulojnë zgjedhjet e Nëntorit. Për këtë arsye Twitteri kërkoi që çdo postim i tij të kontrollohej dhe të verifikohej.

Trump firmosi një urdhër ekzekutiv që përkufizon mbrojtjen dhe detyrimet ligjore që kanë mediat sociale në tërësi. Në bazë të kësaj platformat online si Facebook dhe Twitter mund të paditen nëse gjykohet se po bllokojnë një postim në mënyrë të padrejtë.

Edhe aplikacionet e tjera po i bëjnë presion Facebook që edhe ajo të veprojë njëlloj pasi ka mbajtur qëndrime të kundërta. Shefi ekzekutiv i tij, Mark Zuckerberg, ka thënë se postet e Presidentit duhet të lihen të pandryshuara.

Presidenti Trump ka më shumë se 1 milion ndjekës në Snapchat. Llogaria e presidentit nuk do të pezullohet ose fshihet. Fakti që nuk do të shfaqet në ‘Discover’ do të thotë që postimet e tij do të shihen vetëm nga njerëz që duan ta ndjekin.

Klan Plus