Lëvizje e lirë, vetëm drejt Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut

Policia e Shtetit ka njoftuar qytetarët se për shkak të situatës së pandemisë, mund të udhëtojnë lirshëm vetëm drejt dy shteteve të rajonit, por duke respektuar rregullat.

Sipas policisë, drejt Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut të gjithë shtetasit shqiptarë mund të lëvizin lirshëm gjatë kësaj periudhe. Ndërsa ata që do udhëtojnë drejt Malit të Zi, do të duhet të kryejnë testin 48 orë para nisjes dhe të kenë rezultuar negativë.

Nëse do të duhet të udhëtojnë në grup, atëherë testi kryhet nga autoritetet malazeze në kufi. Udhëtimi drejt Greqisë lejohet vetëm për ata që janë pajisur me leje qëndrimi ose pasaportë greke.

Do të lejohet qarkullimi i kamionëve që transportojnë mallra, por edhe rastet të autorizuara nga autoritetet greke. Në asnjë vend tjetër të BE-së nuk lejohet lëvizja e lirë e shtetasve shqiptarë, përveç rasteve të konfirmuara nga autoritetet e këtyre vendeve.

Ndërsa drejt Shqipërisë kufiri është i hapur për të gjithë shtetasit e huaj apo shqiptarë, sipas rregullave në fuqi.

Tv Klan