Përfundon në mënyrën më të dhimbshme historia e trishtë e binjakeve Sofia dhe Vasiliki Filipopulu, të shpallura prej ditësh të zhdukura pas zjarrit që shkrumboi Greqinë.

Motrat 9-vjeçare u gjetën të djegura, të përqafuara nga dy gjyshërit e tyre në fshatin Mati. Pak ditë më parë, dëshmia e babait të tyre se i kishte parë në televizor gjatë operacioneve të shpëtimit bëri xhiron e mediave ndërkombëtare, por siç rezultoi vajzat e motobarkës nuk ishin binjaket e tij.

Sakaq bilanci tragjik ka shkuar në 88 viktima. Të premten ndërroi jetë edhe 62-vjeçari shqiptar nga Narta, Viktor Cenko, i cili nuk u mbijetoi djegieve të rënda.

Vendasit janë kthyer në banesat e tyre, ose më saktë nga ajo çka ka mbetur në to. Ka nga banorët që fajësojnë shtetin dhe qeveritë e mëparshme që nuk kanë marrë prej dekadash asnjë masë.

Pamjet satelitore tregojnë qartë shkatërrimin që la llava e flakëve.

Ekipet e shpëtimit kërkojnë rrugë më rrugë, shtëpi më shtëpi me shpresën e gjetjes së ndonjë të mbijetuari. Furnizimet me ndihma kanë nisur të shpërndahen në Mati dhe në spitalet e tejmbushura. Fokusi i autoriteteve tashmë është te të mbijetuarit dhe zbutja sadopak e tragjedisë më të rëndë në dekada, që gjunjëzoi Greqinë.

Tv Klan