Planeti Venus rikthehet në vëmendjen e shkencës. Janë programuar 4 misione të ndryshme tashmë. E para është ajo e Agjencisë Hapësinore Indiane për vitin 2023, e ndjekur nga NASA, nga ESA e Evropës dhe së fundi nga ajo ruse, Roscosmos.

Deri më sot vetëm 2 sonda hapësinore janë dërguar në këtë planet para shumë vitesh, pasi kushtet në Venus janë shumë të vështira, me temperatura 470 gradë Celcius, një presion atmosferik 90 herë më të lartë se në Tokë dhe qielli i mbuluar nga re me acid sulfurik.

Por arsyet pse shkencëtarët janë të interesuar për të eksploruar Venusin janë të forta. Sipas tyre, Venusi është planet shumë i ngjashëm me Tokën, sa i përket dimensionit, dendësisë, karakteristikave kimike.

Sipas studimeve të fundit, mendohet gjithashtu se ky planet ka qenë i pasur me ujë e oqeane për rreth 3 miliardë vjet dhe më pas diçka ndodhi që e shndërroi. Sipas drejtueses së programeve shkencore të NASA, Adriana Ocampo, është i rëndësishëm fokusimi në studimin e Venusit apo Afërditës, pasi do zbuloheshin arsyet e zhvillimit të jetës në Tokë, por edhe shumë mistere të tjera ndërplanetare.

Sipas shkencëtarëve, në Mars ku janë përqendruar edhe shumica e studimeve të deritanishme nga njeriu, ka pasur ujë për vetëm 430 milionë vjet, ndërkohë që tek Venusi për miliarda vite.

Sonda e parë që do niset, ajo indiane, mendohet se do të bëjë një panoramë të imtësishme të sipërfaqes së planetit të ndritshëm nga një lartësi prej 250 metra. Gjithashtu qëllimi është të zbulohet nëse aktualisht në këtë planet po zhvillohet një aktivitet tektonik, që është bazik për krijimin e jetës.

Klan Plus