Paraburgimi i Durrësit mbledh të akuzuarit vip. Pothuajse të gjithë ish-kryebashkiakët në hetim, ndodhen në të njëjtin insitucion izolimi.

Paraditen e kësaj të mërkure u transferuan në këtë paraburgim Fredi Beleri, kryebashkiak i zgjedhur i Himarës dhe Lefter Alla, ish-kreu i bashkisë së Bulqizës. Ata ndodheshin në spitalin e burgut në Tiranë dhe pas përmirësmit të gjendjes shëndetësore, u dërguan në Durrës.

Beleri u arrestua 2 ditë para votimeve të 14 Majit me akuzën e korrupsionit në zgjedhje, ndërsa Lefter Alla, po hetohet për shkelje të barazisë në tendera në lidhje me ndërtimin e një ujësjellësi.

Në paraburgimin e Durrësit ndodhen dhe ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka dhe ish-deputeti socialist Alqi Bllako, të cilët akuzohen për aferën e inceneratorëve. 

Po në paraburgimin e Durrësit është dhe ish-kryetari i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, i cili u arrestua më 6 Qershor të këtij viti. Ai akuzohet për shpërdorim detyre në dhënien e një leje ndërtimi të një pallati. Në këtë dosje është bashkuar dhe një çështje tjetër, tenderi për shëtitoren në plazhin e Currilave. Një gabim në përllogaritjen e projektit, u bë shkak për dhjetëfishimin e vlerës së tenderit

Në paraburgimin e Durrësit ndodhet dhe një tjetër i akuzuar nga radhët e Partisë Socialiste. Ai është ish-kryebashkiaku i Kukësit Safet Gjici, i cili akuzohet për veprën penale “korrupsion pasiv”. Në video intime, 40-vjeçarja i kërkon kryebashkiakut të favorizoje për një tender. Por Gjici ka hedhur poshtë akuzën duke deklaruar se nuk ka asnjë procedurë zyrtare të nisur për tenderin e pretenduar.

Klan News