Të hënën, 15 mijë vaksina të tjera nga Pfizer



Të hënën, 15 mijë vaksina të tjera nga Pfizer

16:12 27/02/2021

Manastirliu: Situatë delikate, duhet ndërgjegjësim për të shmangur infektimet

Nga spitali Covid 3, ministrja Manastirliu tha se dozat e vaksinave që do të vijnë në ditët në vijim do të mundësojnë vaksinimin brenda dy javëve të të gjitha bluzave të bardha.

“Pritet që të vijë ngarkesa e radhës së Pfizer ditën e hënë, rreth 15 mijë vaksina vijnë për të intensifikuar vaksinimin. Pritet gjithashtu që brenda 10 ditëshit të parë të Marsit të vijnë edhe 14,400 vaksina të AstraZeneca, nëpërmjet instrumentit COVAX, dhe do të kemi besoj lajme të mira për sasi të tjera vaksinash”, tha ajo.

Pavarësisht se vaksinimi është shtrirë në disa qarqe, qytetarët nuk duhet të ulin vigjilencën, sepse situata është e rëndë dhe me shifra të larta infektimesh, por edhe viktima.

“Jemi në një situatë delikate dhe gjithë angazhimi i personelit shëndetësor është i drejtuar në dhënien e shërbimeve këtyre pacientëve. Janë më shumë se 600 pacientë që janë duke u trajtuar në spitalet tona, qoftë në spitalin Infektiv, në spitalin “Shefqet Ndroqi”, në COVID 3, COVID 4 dhe spitalet rajonale që tashmë janë të hapura. Por është momenti për një thirrje për njerëzit: Sa më shumë të kujdesshëm, aq më pak raste në spitale, aq më pak fatalitete”, u shpreh Manastirliu.

Stafet shëndetësore të spitalit COVID 3 në QSUT, kërkuan bashkëpunim me qytetarët dhe të mos neglizhojnë, të shkojnë në kohën e duhur në spital.

Muaji shkurt ka shënuar shifrën më të lartë të fataliteteve nga Covid-19, ku vetëm në 48 orët e fundit kanë humbur jetën 41 persona.

Klan News







Të ngjashme