Duke nisur nga dita e hënë, grumbulluesit dhe agropërpunuesit nuk do të blejnë më lëndën e parë në tregun vendas. Shkak është ulja e masës së kompensimit të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për fermerët nga 20 në 6%, barrë të cilën dy muajt e parë të këtij viti e kanë mbajtur industrialistët përpunues. Por Shoqata e Industrisë Ushqimore, thotë se nuk ka më mundësi që të paguajë çmim më të shtrenjtë për fermerët.

Alban Zusi sqaron se bëhet fjalë për një faturë financiare për këtë sektor prej 105 milionë eurosh, ku 80 milionë TVSH do të rëndojnë tregun vendas dhe 25 të tjera eksportuesit. Ai thotë se bojkoti do të përshkallëzohet nëse nuk ka reagim nga ana e institucioneve.

Një ditë më parë, fermerët në shenjë proteste derdhën qumështin në rrugë, pasi refuzuan që ta shisnin më lirë këtë produkt. Qumështi është produkti i parë që preket nga ulja e kompensimit të TVSH-së, e më pas çmim më të ulur në shitje për fermerët do të ketë edhe për mallrat e tjera bujqësore sipas sezonit.

Tv Klan