Të hënën Parlamenti nis sesionin e zakonshëm të punës. Në axhendën e seancës plenare të ditës së hënë, janë vendosur dy dekretet e Presidentit Meta, shkarkimi i ministrit të Europës dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati dhe dekreti për emërimin në këtë detyrë të kryeministrit Edi Rama, të dy propozime të shefit të qeverisë.

Të enjten Presidenti Ilir Meta dekretoi Ramën në postin e Bushatit, pasi më herët kishte refuzuar emrin e zv/ministrit Gent Cakaj, si shef i diplomacisë së Shqipërisë.

Opozita ende nuk ka bërë të ditur nëse do rikthehet në Kuvend, pas largimit nga sesioni i jashtëzakonshëm i të mërkurës, me argumentin se nuk iu dha e drejta e fjalës. PD e LSI kanë shpallur vendimin për nisjen e protestave popullore, deri në largimin e kryeministrit Rama. /abcnews.al