Mazhoranca është gati të hedhë një tjetër hap në nismën e saj për shkarkimin e Presidentit. Pasditen e së hënës në orën 17.00 Parlamenti është thirrur në një seancë të posaçme për të votuar ngritjen e komisionit parlamentar që do të hetojë shkeljet e pretenduara të Kushtetutës nga ana e Presidentit Meta.

130 minuta kohë do të jenë në dispozicion të deputetëve të shumicës dhe pakicës parlamentare për të diskutuar në fillim mbi raportin e hartuar nga Komisioni i Ligjeve, që miratohet me shumicë të thjeshtë.

Argumentin ligjor për shkarkimin e Presidentit  socialistët e mbështesin në  anulimin e dekretit që Meta i bëri zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit. Për socialistët, kreu i shtetit është sjellë arbitrarisht me pushtetin pasi ka cënuar parimin e periodicitetit të zgjedhjeve duke nxjerrë një akt në kundërshtim flagrant me ligjet dhe Kushtetutën.

Në raportin e Komisionit të Ligjeve, mazhoranca thotë se në të paktën 9 raste Presidenti ka shkelur ligjin themeltar të shtetit dhe parimin e ushtrimit të sovranitetit nga ana e popullit.

Pas miratimit të raportit në Kuvend, rruga i hapet ngritjes së kominisonit të posaçëm që në bazë të hetimeve, të gjitha shkeljet ligjore e kushtetuese do t’i paraqesë në raportin final, miratimi i të cilit kërkon 94 vota nga Parlamenti.

Komisioni hetimor do të ketë në përbërje të tij 9 anëtarë, 5 nga PS dhe 4 nga opozita e re dhe do të kryesohet nga Ulsi Manja. Por pavarëisht procedurave ligjore të nisura nga socialistët, fjalën e fundit e ka Gjykata Kushtetuese, organ që vendos nëse Presidenti ka shkelur apo jo ligjin themeltar të shtetit. Nisma e mazhorancës gjithsesi nuk e ka penguar Presidentin Meta që këtë të dielë të ndajë në rrjetet sociale momentet e tij të relaksit në Gjirin e Lalzit, duke postuar edhe një shpjegim shkencor që një prej ndjekësve të tij i ka bërë shumimit të votave mbi pjesëmarrësit në 30 Qershor!

Tv Klan