7 shkolla të dëmtuara dhe 1 kopësht

Më 9 Dhjetor, 7 shkolla në kryeyqtet nuk do të hapin dyert për zhvillimin e procesit mësimor. Nxënësit do të zhvillojnë mësim në shkollat pritëse të padëmtuara nga tërmeti i 26 Nëntorit.

Më 9 Dhjetor pritet të rifillojë procesi mësimor për qarkun e Tiranës. Në shkollën Sami Frashëri  është vendosur shiriti për shkak të dëmeve që ka pësuar nga tërmeti i 26 Nëntorit. 1400 nxënësit e kësaj shkolle do të zhvillojnë mësim në shkollën Qemal Stafa dhe Sinan Tafaj.

Po ashtu edhe rreth 900 nxënësit dhe 42 mësuesit e shkollës 9-vjeçare “Lasgush Poradeci” në Kombinat do të zhvillojnë mësim në një tjetër shkollë. Ndërsa rreth 800 nxënës dhe 36 mësues të shkollës 9-vjeçare ‘Musine Kokalari’ do të zhvendosen tek shkolla “Betim Muço”, aty ku strehohen disa familje të pastreha nga tërmeti i 26 Nëntorit.

Tërmeti i fortë që goditi Durrësin, Tiranën dhe Thumanën shkaktoi dëme të mëdha edhe në shkolla të tjera. Sipas të dhënave nga grupet e verifikimit në terren dëmtime ka patur edhe në shkollën e mesme të bashkuar Pezë, shkollën 9-vjeçare Pezë e vogël, shkolla 9-vjeçare Ramazan Jarani, shkolla 9-vjeçare Emin Duraku si dhe një kopësht në Tufinë.

Ministria e Arsimit bën me dije se rreth 4800 nxënës dhe 650 mësues të prekur nga tërmeti kanë shtëpi të dëmtuar apo të pabanueshme.

Tv Klan