Ditën e hënë Shqipëria do të listohet në bursat ndërkombëtare për të marrë një borxh në vlerë 500 milionë euro. Ministri i Financave Arben Ahmetaj mori miratimin e kuvendit dhe të presidentit që marrëveshja për blerjen e eurobondit të kalojë me procedurë të përshpejtuar.

Eurobondi nuk do të jetë një borxh i ri, por do të zëvendësojë atë ekzistues që qeveria bleu në 2015-n me vlerë 450 milionë Euro, ndërsa pjesa tjetër do të shërbejë për nevojat që vendi ka për borxh në vitin 2019 dhe 2020.

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj:

“Nuk ka rritje të borxhit, ka zëvendësim të tij me kushte më të mira. Borxhi ulet, nuk rritet”.

Kreu i Financave tha se interesi i eurobondit do të jetë më i ulët se ai vitit 2010 e 2015-ë për shkak të konsolidimit fiskal që ka bërë vendi, por pa dhënë shifra se sa pritet të shkojë norma e tij.

“Kjo do të varet dhe nga kushtet që do të kenë tregjet globale, por ne e presim që interesi të jetë më i ulët”.

Interesi i bondit që u emetua në 2015-ën ishte 5.75%.  Kjo është hera e tretë që vendi ynë del me një kërkesë për të marrë borxh në tregjet e huaja.

Tv Klan