Elezi: Në Kosovë u sigurua fshehtësia e votës, angazhim nga ekipet mjekësore

Teksa Kosova siguroi insfrastrukturën e duhur që të infektuarit me Covid-19 të votojnë, në Shqipëri ende nuk ka një plan konkret. Perfaqësuesi i KQZ në Kosovë Valmir Elezi tregoi për Klan News se si u arrit të sigurohej fshehtësia e votës dhe ekipet e angazhuar në këtë proces.

“KQZ është duke parë disa mundësi se si mund të bëhet votimi për këta zgjedhës. Po shihen opsione të shteteve të tjera, dhe një nga këto raste që po merren në shqyrtim është edhe Kosova. Por, nuk mund të jetë e vetme një vendimarrje e KQZ-së, duke qenë se kemi të bëjmë me pandeminë, janë të përfshirë automatikisht edhe strukturat e ministrisë së Shëndetësisë dhe komiteti i ekspertëve,” tha anëtari i KQZ-së në Shqipëri, Dritan Caka.

Kosova dha shembullin më të mirë duke ofruar shërbimin e votimit në banesë për të infektuarit me Covid-19, falë ekipeve të veçanta me mjekë, policë e specialistë të zgjedhjeve. Përfaqësuesi i KQZ në Kosovë, Valmir Elezi tregoi per Klan News se si arritën të siguronin fshehtësinë e votës.

“Kanë qenë gjithsejt 104 ekipe mobile të shpërndara gjithandej Kosovës. Qytetarë me të drejtë vote të infektuar me Covid-19, ajo çfarë duhet të bëjë është të vendos fletëvotimin në një zarf të pashënuar. Natyrisht se kutia e votimit është e mbyllur dhe nuk mund të hapet.”

Të infektuarit me Covid-19 në Shqipëri duket se do ta kenë të vështirë të dalin nga banesa në 25 Prill e tu drejtohen kutive të votimit. KQZ ende nuk ka pasur diskutime me Ministrinë e Shëndetësisë për këtë proces, por Ilirjan Celibashi e sheh thuajse të pamundur të realizojë votimin në kushte të tilla.

Nëse do votohej sot në Shqipëri, e drejta për tu drejtuar kutive të votimit do të mohohej për rreth 35 mijë persona, të cilët janë aktiv me Covid-19.

Klan News