Brenda një jave mbi 1200 të infektuar të rinj

Në Maqedoninë e Veriut, autoritetet e Ministrisë së Arsimit kanë njoftuar se, që nga fillimi I vitit shkollor më 1 Tetor, të izoluar janë 53 nxënës dhe 8 mësimdhënës pasi kanë qenë në kontakt me të infektuar me COVID-19.

Komuna “Qendër” e Shkupit njoftoi se 22 filloristë të një shkolle janë vënë në izolim, pasi një punonjëse e shkollës me simptoma të COVID-19 ka frekuentuar ambientet e kësaj shkolle. Nga kjo Komunë kanë paralajmëruar masa të ashpra ndaj saj.

Në Maqedoninë e Veriut ka filluar të zbatohet mësimi I kombinuar. Nxënësit nga Klasa e Parë deri në të tretën mësojnë me prezencë fizike, kurse të tjerët ndjekin mësimin online.

Kundër mësimit nga distanca janë shfaqur pakënaqësi nga nxënës të shkollave të mesme të cilët përmes marsheve protestuese kërkojnë që t`u kthehen bankave shkollore.

Autoritetet e shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut raportojnë për numër të shtuar të rasteve të reja me COVID-19. Në një analizë javore të Institutit të Shëndetit Publik, njoftohet për rritje të shkallës së infektimeve në 35.5%, apo mbi 1200 të prekur brenda një jave. Shifrat kanë ndezur alarmin. Të parët që pësuan ishin objektet hotelerike, kurse nuk përjashtohen edhe sanksione tjera.

Klan Macedonia