Shtetet evropiane vendosën masa kufizuese pas rritjes së infektimeve

Edhe këtë vit të krishterët në mbarë botën i festojnë Pashkët nën masa të reja të kufizuese. Rregullat anti-covid u vendosën nga qeveritë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Franca nisi masën e izolimit kombëtar më 3 Prill pasi është rritur numri i pacientëve në spitale. Edhe Italia filloi zbatimin e një bllokimi të rreptë për festën e Pashkëve, duke i vendosur të gjitha rajonet në “zonë e kuqe” përkatësisht me rrezik të lartë gjatë fundjavës së festave.

Në Gjermani, qeveria u tërhoq nga planet për bllokim të rreptë gjatë Pashkëve, por kancelarja gjermane, Angela Merkel, u bëri thirrje njerëzve të kufizonin kontaktet e tyre shoqërore.

Në Poloni, shkollat, dyqanet dhe bizneset janë mbyllur përsëri, por kishat në këtë vend me shumicë katolike, mbeten të hapura për një numër të kufizuar të qytetarëve. Përveç vendeve evropiane edhe Kanadaja po përballet me një valë të tretë të përhapjes së virusit.

Dy provincat më të populluara të Kanadasë, Ontario dhe Kuebek, vendosën masa izolimi gjatë fundjavës.

Në Filipine, një bllokim që prek më shumë se 24 milionë njerëz në vendin kryesisht katolik u zgjat për një javë tjetër ndërsa autoritetet kanë njoftuar për spitale të mbingarkuara.

Klan News