Kjo është një lojë fëmijësh. Djemtë janë ndarë në dy skuadra, por nuk luajnë futboll, as lojë me shpata apo kukafshehti. Ata po interpretojnë një film. Skena e filmit amatoreskt duket se ndodhet në Kosovë, por interneti nuk ka kufij dhe prej dy ditësh ai po qarkullon në rrjete sociale, duke tërhequr vëmendjen, jo vetëm të adoleshentëve.

Filmi bazohet mbi ngjarje për të cilat fëmijët sot shikojnë e dëgjojnë aq shumë. Trafiku i drogës. Mënyra e shkëmbimit të saj me para mes dy bandave është e njëjtë me atë që ndodh në realitet. Blerësit e drogës e provojnë për të mos rënë pre e mashtrimit, ndërsa shitësit numërojnë paratë për të njëjtën arsye.

Nuk mungojnë skenat që shoqërojnë gjithmonë trafikun e drogës, si pengmarrja, dhuna mes bandave apo vrasjet dhe zhdukja e viktimave.

Padyshim që është një lojë fëmijësh, por çfarë i frymëzon ata që të inskenojnë një film të tillë dhe jo një subjekt tjetër? Psikologët thonë se ka një tendencë të rrezikshme të orientimit të fëmijëve, sa i takon modeleve që ata ndjekin. Shumë këngëtarë që sot janë më të preferuarit e gjeneratës së 15-20 vjeçarëve, këngët e tyre ia dedikojnë drogës, dhunës dhe seksit.

Sipas tyre, shfaqe të tilla me protagonistë fëmijët, janë paralajmërime të frikshme për modelin e këtij brezi dhe keqedukimin e tyre.

Klan Plus