Derbi i Shqipërisë paraqitet ndeshja më interesante e javës së 29 të Superiores. Tirana do të luajë me Vllazninë të martën në Elbasan.

Të dy ekipet vijnë nga fitore që është një motivim më shumë për të vijuar ecurinë pozitive. Trajneri i Tiranës, Bledi Shkëmbi kërkon që me lojën e mirë të zhvilluar në 3 fazat e kaluara të vijë edhe suksesi. 

“Shpresojmë dhe urojmë që të bëjmë një paraqitje të mirë për të qenë në nivelin e këtij dueli, shpresoj shumë që kundërshtari të mos ketë fatin që ka pasur, në 3 përballje që kemi bërë me ata mendoj që kemi bërë lojëra të mira pavarësisht rezultateve. Është një ndeshje e rëndësishme për vazhdimësinë dhe në fund rëndësi kanë pikët”, tha Shkëmbi.

Vllaznia ka fituar 2 herë këtë sezon me Tiranën, ndërsa një herë sfida është mbyllur në barazim. Synimi Thomas Brdariç është marrja e 3 pikëve në një përballje ku duhet përgatitje e mirë fizike dhe psikologjike sipas tij.

“Ndaj Tiranës jemi paraqitur mire këtë sezon. Do të luajmë një ndeshje të rëndësishme, është Derbi i Shqipërisë. Duhet të jemi 100% të përgatitur nga ana fizike dhe psikologjike. Do të rregullojmë diçka nga ana taktike dhe do të jemi gati për të marrë pikë nga kjo ndeshje”, tha Brdariç.

Skuadrat kanë objektiva të ndryshëm pasi Tirana po lufton për mbijetesën, ndërsa Vllaznia të forcojë pozitën në katërshen e parë. Java e 29 nis sot me përballjet Skënderbeu – Partizani dhe Dinamo – Bylis.

Tv Klan