Ekspertët: Mundësi për të paguar 3% tatim në burim

Të gjithë qytetarët të cilët kërkojnë që të bëjnë një vlerësim të ri të shtëpive apo pronave të tjera të patundshme, mund ta realizojnë atë pranë zyrave të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, duke nisur nga e marta.

Rivlerësimi i banesave është një mundësi që qeveria e jep për herë të tretë për qytetarët, duke bërë që ata të paguajnë tatim në burim të pasurisë së tyre në masën 3% nga 15% që është aktualisht në ligj.

Ekspertët e tregut imobiliar thonë se ka dy mënyra për të bërë rivlerësimin e shtëpisë: njëra përmes specialistëve të zyrave të Kadastrës, ku vlera që i vendoset pasurisë është minimumi i çmimit fiskal të miratuar me vendim qeverie dhe tjetra me vlerësues privat, të cilët i japin pasurisë vlerën e tregut.

Rivlerësimi i banesës do të jetë në fuqi deri në fund të muajit gusht. Në momentin që një shtëpi e blerë 20 vjet më parë ka kushtuar 10 mijë euro dhe sot vlen 60 mijë, me ligjin aktual duhet të paguhet 15% e 50 mijë eurove, një vlerë prej 7500 eurosh, ndërsa me tatimin 3% paguhet 1.5 mijë euro dhe nëse banesa shitet në të ardhmen nuk rëndon tatim-fitimi.

Nga kjo nismë qeveria pret të gjenerojë 40 milionë dollarë të ardhura shtesë për buxhetin e shtetit, ndërsa vlerësohet se do të jenë mbi 50 mijë pasuri që do të përfitojnë nga ulja e tatimit mbi fitimin. Sipas të dhënave të Kadastrës, dy vjet më parë nga kjo nisëm përfituan 64 mijë persona.

Tv Klan