Sinoptikania: Temperaturat do të ulen me disa gradë deri të premten, fundjava sërish me diell
Edhe pse dita e hënë ka nisur me diell dhe me temperatura të larta, mesnata pritet të sjellë vranësira dhe reshje. Sipas parashikimeve të sinoptikanëve prej ditës së martë, reshjet do të jenë prezente në mbarë vendin përfshirë dhe zonat bregdetare.
“Kemi një javë nga e marta deri ditën e premte disi të paqëndrueshme ku vranësirat dhe reshjet do të jenë prezente. Reshjet do të jenë të dukshme, kryesisht të martën dhe të mërkurën, më pak do të ketë dita e enjte dhe e premte”.
Sipas parashikimeve të sinoptikanëve temperaturat e ajrit do të ulen duke aritur vlerat tipike të fundit të Gushtit, por ato do përsojnë rritje graduale duke nisur nga dita e premte.
“Parashikohet që nga dita e martë dhe deri ditën e premte të kemi një rënie nga dita në ditë të vlerave termike duke bërë që të kemi një freskim të motit, sidomos nesër për shkak se do të kemi një rënie të ndjeshme me 5-6 gradë sepse do të ketë vranësira dhe reshje edhe në orët e mesditës. Kjo do të bëjë që deri ditën e premte të jemi rreth vlerës 28-29 gradë, i afrohemi temperaturave tipike të Gushtit. Fundjava do të sjellë ndryshim të motit edhe pse futemi zyrtarisht në vjeshtë, do të jetë një fundjavë me diell në temperatura 34-35 gradë, sikundër e kemi thënë më herët që edhe Shtatori do të ketë plot ditë me diell”.
Kjo javë do të mbyllet me temperatura të larta në fundjavë dhe me diell, duke bërë që të jetë e përshtatshme për pushuesit e Shtatorit dhe ata që duan të shijojnë bregdetin.
Klan News