Në emisionin “Stop” u trajtua historia e Aleks Shtjefanit, emigrant prej 25 vitesh në Itali, që denoncoi sesi u manipulua aksidenti i vitit 2017, që i dëmtoi këmbën, për të cilën ka bërë 4 operacione.

Por si të mos mjaftonte kjo, tani ai u dënua nga gjykatat dhe prokuroria në bashkëpunim me ekspertët si fajtor i aksidentit, në një kohë, që faktet, provat e filmimet tregojnë të kundërtën.

Denoncuesi: D.m.th të gjithë avokatët, që kam pasur unë, ditën e parë kanë folur shumë mirë, se e kanë ditur, që kam të drejtë, pastaj kanë rënë të gjithë, të gjithë i kanë zbutur.

Gazetari: Të kanë shitur edhe avokatët mbrojtës, që ti ke zgjedhur?

Denoncuesi: Të gjithë, të gjithë. Unë të kam nisur dhe provën, ku avokatja më shkruan mesazhe më thotë, që unë tërhiqem, se pala tjetër është shumë e fortë, ti nuk ke gjendje ekonomike, thotë, që të ecësh përpara. Po gjendja ekonomike, unë çfarë më ka kërkuar ajo, ia kam dhënë dhe një tjetër po ta them, kur fillova apelin në Shkodër kisha avokat Ndue Gjelaj, kisha bërë një kontratë 50 me 50 me të, që po doli e drejta ime, ai do merrte 50 % të dëmit, pastaj tha dua 80% unë, 20 % ti, se po shpenzoj me ekspertët. Unë i thashë jo, po të jetë puna kështu ndërrova avokat, ai më ka denoncuar në gjyq  në Tiranë, do 30 mijë euro nga unë. Ky problem më ka shkatërruar jetën komplet. Unë nuk di nga t’ia mbaj. Të më vrasin në rrugën time dhe të më fusin dhe në burg, vetëm në Shqipëri mund të ndodhi një gjë e tillë. Unë nuk di, nga t’ia mbaj ,s’di si t’ia bëj, s’di, ku ta vras veten. Kam 3 vjet e gjysmë, që vuaj spitaleve dhe kjo më duhej mua burg, pa i pas bë gjë njeriu. Kështu ndodhin pastaj ngatërresat, sepse unë s’di, ku ta kërkoj më, ta kërkoj te familja, pse, kur ka gjykata dhe ka drejtësi?!

Gazetari: Aleks, ju jeni i martuar?

Denoncuesi: Jam i martuar dhe kam një djalë.

Gazetari: A keni mundur dot, që të punoni, që pas aksidentit?

Denoncuesi: Po s’jam në gjendje pune më unë, s’punoj dot.

Gazetari: Që në 2017-ën, ju nuk punoni dot?

Denoncuesi: Që në 2017-ën unë s’kam punuar një ditë, nuk jam në gjendje të eci, eci kështu avash-avash nëpër shtëpi.

Gazetari: Çfarë profesioni, ose çfarë pune keni punuar?

Denoncuesi: Unë në ndërtim kam punuar.

Në akt ekspertimin nga grupi i ekspertëve, që u përdor në Apelin Shkodër, vërehen disa parregullsi.

Së pari Valmir Nikolli nuk ka licencën si ekspert autoteknik, ndërsa dy ekspertët e tjerë, Ardian Asa dhe Mark Gjonpalaj, janë pjesë e të njëjtës studio, çka shton dyshimet për manipulimin e raportit të aksidentit.

Ata kanë shpikur edhe prezencën e një autoambulance, për të thënë, që automjeti i Aleks Shtjefanit ka dashur të parakalojë ambulancën dhe si rrjedhojë, ka ndodhur përplasja. Por një shkresë nga Spitali i Lezhës hedh poshtë këtë pretendim, duke nxjerrë bllof raportin e ekspertëve.

Denoncues: Aty mori fund me një fjalë Gjykata e Lezhës, bëra kërkesën në Gjykatë të Apelit, mora avokat tjetër, u bë një ekspertizë tjetër, unë nuk isha, se kam bërë 5 operime dhe s’kisha mundësi të vija në Shqipëri, që t’i bija mbrapa kësaj pune, është bërë kjo ekspertiza me dy ekspertë, më dhanë të drejtë siç ka ndodhur ngjarja. Por prokurori atje nguli këmbë, për të bërë një ekspertizë tjetër, me tre ekspertë. Ekspertët i zgjodhi vetë, kë deshi ai dhe futi shefin e policisë rrugore Valmir Nikolli, që ishte mik i familjes Mhilli dhe ai s’kishte as licencë.

Gazetari: Nga Tv Klan emisioni “Stop” .Donim të të pyesnim, sepse po ndjekim një rast aksidenti dhe ju keni qenë ekspert. Keni licencë?

Valmir Nikolli: S’të jap dot përgjigje për momentin…

Gazetari: Keni licensë si ekspert?

Valmir Nikolli: S’të jap dot përgjigje për momentin…

Gazetari: Pse?!

Valmir Nikolli: Se kam punë nuk e di, pse më nxorrët jashtë …

Gazetari: Jo, si ke punë? Duhet të përgjigjesh, sepse tjetri është në burg! Të lutem!

Valmir Nikolli: Si?

Gazetari: Tjetri është në burg me akt-ekspertimin tënd. Tani, a jeni ju i licencuar?

Valmir Nikolli: E keni në prokurori…

Gazetari: Kë?

Valmir Nikolli: Dokumentacionin e duhur, e keni në prokurori.

Gazetari: D.m.th, që ju keni licencë?

Valmir Nikolli: Po!

Gazetari: Faleminderit!

Valmir Nikolli: E keni në prokurori…/tvklan.al