Situatë e rëndë në spitalet e Covid 

Imunizimi në Maqedoninë e Veriut, me 24.000 doza të vaksinës AstraZeneca, të cilat mbërritën përmes mekanizmit Covax gjatë fundjavës, duhet të fillojë nesër me të moshuarit mbi 75 vjeç. Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe informoi dje se 20.000 qytetarë që tashmë janë regjistruar mbi moshën 75 vjeç, gjatë ditës së sotme përmes mjekëve amë do të marrin termine sipas vendbanimit në cilën pikë dhe në cilën kohë të paraqiten për vaksinim. Autoritetet e shëndetësisë sigurojnë se vaksina është e sigurtë duke i nxitur kategoritë e rrezikuara të qytetarëve që të paraqiten për vaksinim.

Por, situata epidemiologjike në vend dita-ditës vështirësohet. Nëpër Covid-qendrat e vendit mjekohen 1.577 pacientë, shumë prej tyre janë me oksigjeno-terapi. Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se krahasuar me Nëntorin e vitit të kaluar kapacitetet spitalore për pranimin e pacientëve të rinj janë rritur për 50%.

Autoritetet e shëndetësisë këtë javë të valës së tretë e përshkruan si kritike. Vetëm gjatë javës së kaluar janë regjistruar afro 8.000 infektime të reja dhe afro 250 viktima. Përkundër thirrjes së vazhdueshme për të respektuar masat anti-Covid, pamjet flasin të kundërtën.

Edhe pse nuk përjashtohen masa të reja shtrënguese, për momentin mbeten në fuqi masat aktuale, kjo pasi u anulua për të Mërkurën takimi i Komisionit për Sëmundjet Infektive, ku duhej të merrej një vendim.

Autoritetet e shëndetësisë njoftuan se nga java e ardhshme fillon imunizimi i punonjësve në infrastrukturën kritike siç janë, policët, ushtarët, punonjësit e mediave, edukatoret e çerdheve, punonjësit nëpër prokurori e gjykata dhe punonjësit nëpër pikëpagesat rrugore. Për këto kategori qytetarësh janë ndarë 4.000 doza të vaksinës AstraZeneca.

Tv Klan