Të mërkurën do të jetë testi i parë për Shqipërinë  në prag të vendimit të qershorit për çështjen e negociatave. Kjo pasi parlamenti Evropian do të njihet me raportet e progresit të vendeve të Ballkanit dhe Turqisë në kuadrin e reformave të integrimit në Bashkimin Europian. Do të jetë komisioneri për zgjerimin, Johannes Hahn që  do t’i prezantojë së pari këto raporte para deputetëve të komisionit të punëve të jashtme në orën 11:00.

Raportet specifike për secilin vend në paketën e re të zgjerimit të Komisionit Europian do të shërbejnë që eurodeputetët të përgatisin rezoluta të hollësishme për secilin vend.

Vendimi do t’i takojë samitit të 20 dhe 21 qershorit në Bruksel, por më herët parlamenti Evropian u ka bërë thirrje shteteve anëtare të Bashkimit Europian që të hapin zyrtarisht negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kjo e fundit siç ka përmendur komisioneri Hahn meriton të  pasi ka zgjidhur të gjitha problemet me fqinjët, ndërsa vendi mund të penalizohet nga situata që kanë krijuar djegia e mandateve dhe protestat e opozitës.

Çeljen e dritës jeshile me Shqipërinë e kërkoi pak javë më parë në Tiranë edhe shefja e politikës së jashtme Federika Mogerini, e cila tha se vendi ynë i ka përmbushur kushtet për negociatat, duke përmendur si shembull reformën në drejtësi.

Përmbushjen e detyrimeve e ka theksuar edhe kryeministri Rama që u shpreh se Shqipëria e mori një vit më parë rekomandimin për hapjen e negociatave duke nisur procesin screning dhe se çdo shtyrje për në vjeshtë nuk lidhet me vendin tonë, por me problemet e brendshme të vetë Unionit.

Tv Klan