Të mërkurën ndodhi një rast shumë i pazakontë, ku policia vendosi në pranga 67-vjeçaren Natasha Rombula dhe Armando Kumarakun, 44 vjeç, pasi ata shfrytëzonin një 10-vjeçar (nipi dhe djali i të arrestuarve), me qëllim përfitimin nga rrjeti social TikTok.

Kjo ka qenë edhe tema e ditës së sotme në emisionin “Shije Shtëpie”, në Tv Klan, ku sociologu Gëzim Tushi, u shpreh se ky është një fenomen shumë shqetësues. Sipas tij, shoqëria shqiptare ndodhet në një situatë jashtëzakonisht të vështirë, pikërisht për shkak të këtyre situatave.

Ai gjithashtu tha se fëmijët sot janë të mpirë dhe të droguar nga TikTok-u e mediumet e tjera që përdorin, duke krijuar kështu një anestezi sociale.


Gëzim Tushi: Unë gjykoj që fenomeni është shumë shqetësues. Shoqëria shqiptare po ndodhet në një situatë jashtëzakonisht të vështirë, shumë delikate, ndoshta si kurrë më parë. Kjo ka dy arsye dhe unë mendoj që duhet të bëjmë një diagnostikim të shkaqeve që është kjo situatë. Jo vetëm të rasteve individuale, se kam përshtypjen, ky helmi i interpretimit ose i shpërdorimit të fëmijëve, për qëllime të caktuara, tanimë ka filluar ta kapë gjerësisht trupin e shoqërisë. Një gjë duhet kuptuar, duket qartë që në përgjithësi kur familja është e destabilizuar, do të kemi fëmijë të çoroditur. Shumë rrallë mund të ndodh që një familje e destabilizuar, të ketë mundësi që të ketë parime prindërimi, ose kuota prindërimi, për të rritur një fëmijë normal, për ta ruajtur atë nga këto helmet, për ta ruajtur atë nga kjo anestezia sociale e rrjeteve sociale, që po bëhet dominonte dhe e frikshme për fëmijët. Po të them është një anestezi sociale! Fëmijët janë të mpirë nga TikTok-u dhe nga rrjetet sociale, e nuk arrijnë dot më të perceptojnë as intervenimet e familjes, as intervenimet edukativ të shkollës, as ndërhyrjet, por janë tamam, do thosha të droguar nga kjo gjë. Ky fenomen është bërë shumë masiv, shumë i përhapur.

Arsyeja kryesore sipas gjykimit tim është së pari, njëherë, familja shqiptare. Sa më shumë po i rritet destabiliteti i brendshëm dhe sa më shumë po i zgjerohen niveli i shtimit të numrit të divorceve, po rrit gjithmonë pasojat që po shkaktohen mbi fëmijët. Pasoja, të cilët i kthejnë fëmijët në jetim social dhe mbi të gjitha, ajo që është e shëmtuar, është fakti që ne nuk bëjmë divorce miqësore. Ne harrojmë që jemi prindër, kjo është një tmerr i kulturës shqiptare. E kemi ne ballkanasit, më shumë se e gjithë Evropa. Kudo divorcohen, bile ka dhe nivele më të larta të divorcit se në Shqipëri, por ata divorcohen si bashkëshort, por nuk divorcohen si prindër, pra mbajnë përgjegjësinë prindërore. Dy palët ndikojnë pozitivisht në mënyrën edukative. Nuk mund t’i thotë babai ose nëna: “Nëna jote është një përbindësh”, vetëm për të ngjallur urrejtje e saj. Imagjinoni, çfarë mund të ndodh me një fëmijë që ka një dekotomi të tillë agresive nga të dy palët që godasin fëmijën, tek i cili ngjalli urrejtjen për njërin apo për tjetrin? Dhe në këto rrethana, një fëmijë im tillë është i ngjashëm që të kthehet në viktimë: në viktimë sociale apo individuale. /tvklan.al