Truri i njeriut vijon të funksionojë pas vdekjes, që do të thotë se njeriu e di që ka vdekur. Në një studim të ri, shkencëtarët thonë se kanë zbuluar se për disa sekonda pasi zemra pushon së punuari, aktiviteti në tru vijon të jetë funksional.

Sipas ekspertëve, kjo do të thotë se një pacient është totalisht i ndërgjegjshëm për atë që po i ndodh, pasi ndërgjegjia e tij vijon të punojë. Për një periudhë të shkurtër pas vdekjes, njeriu është i ‘mbërthyer’ brenda trupit të tij të vdekur.

Studimi i ri zbuloi se ata që i mbijetuan një sulmi në zemër ishin të ndërgjegjshëm se çfarë po ndodhte rreth tyre ndërkohë që klinikisht ishin të vdekur, përpara se të silleshin sërish në jetë. Këta pacientë ishin në gjendje që të përshkruanin se çfarë ndodhte rreth tyre, pasi zemra kishte pushuar së rrahuri.

Gjithnjë sipas kësaj pune kërkimore, të dhënat sugjerojnë se kur një njeri ndërron jetë mund të dëgjojë edhe mjekun që e shpall atë të vdekur.

Dr. Sam Parnia dhe grupi i tij shkencor nga Shkolla e Mjekësisë në Universitetin Stony Brook, në New York, ekzaminuan ndërgjegjiet pas vdekjes, duke studiuar punët kërkimore të arresteve kardiake në Europë dhe SHBA.

Sipas Dr.Parnia, studimi zbuloi se kur njerëzit përjetojnë një eksperiencë “pas-vdekjes” shpesh ndryshojnë dhe bëhen më të gatshëm për të ndihmuar të tjerët.

Duke folur për

LiveScience

, Dr.Parnia tha:

“Pacientët përshkruajnë mjekët dhe infermierët duke punuar, përshkruajnë faktin se janë të ndërgjegjshëm dhe dëgjojnë bisedat e plota, apo gjëra vizuale që ndodhin, gjëra të cilat nuk kanë sesi t’i dinë ndryshe”.

“Një pacient shpallet i vdekur një moment që zemra e tij pushon. Teknikisht ajo është ora e vdekjes së tij”

, tha doktori më tej, duke shtuar se kur kjo ndodh, funksionet e trurit ndalojnë thuajse menjëherë.

Ai shprehet se korteksi cerebral i trurit, i njohur si “pjesa e të menduarit”, ngadalësohet dhe sheshohet, megjithatë qelizat e trurit mund të jenë aktive disa orë pasi zemra ka pushuar.

Kryerja e ringjalljes kardiopulmonare (CPR) në një person, zemra e të cilit ka pushuar, do të çojë rreth 50 përqind të gjakut që i duhet trurit për të punuar, që sipas Parnia është e mjaftueshme që truri të funksionojë. Sa më gjatë e bën CPR-në, aq më shumë do të jetojnë qelizat e trurit, të cilat do të vdesin më ngadalë.

Ky studim po ekzaminon se çfarë ndodh me trurin pasi një njeri pëson arrest kardiak dhe nëse ndërgjegjia vijon pas vdekjes dhe për sa kohë. Qëllimi i studimit është që të përmirësojë cilësinë e risjelljes në jetë të pacientëve dhe të parandalojë dëmtime të trurit gjatë kohës që zemra ristartohet.

/tvklan.al