Programi “Historia ime”, në Tv Klan solli ditën e sotme historinë tepër të trishtë të një familje. Babai rrëfeu në studio se si fqinji 48-vjeçar ngacmoi sekualisht vajzën e tij 5-vjeçare. Ai u shpreh se pas ngjarjes së rëndë familja e tij e ka përjetuar shumë keq dhe ai për 10 ditë nuk ka ngrënë as ushqim. Më tej, ai shton se për shkak të fjalëve të njerëzve është detyruar të largohet nga banesa dhe të shkojë tek prindërit e gruas.

Por sërish u rikthye në shtëpinë e tij së bashku me familjen dhe shprehet se ende njerëzit i gjykojnë dhe fajësojnë atë dhe gruan për ngjarjen që ndodhi.

Mirela Milori: Si u ndjeve? Si ishte momenti i parë kur dëgjove atë dëshmi?

Babai: Unë kam kaluar shumë keq faktikisht. Kam ndenjur 10 ditë pa ngrënë, nga ky siklet që kam patur, edhe unë dhe nusja ime. Nuk kam ndenjur shumë në shtëpi. Pasi bëmë këtë në polici, ditën tjetër ika nga ai vend, ika se e morrën vesh të gjithë njerëzit dhe nuk mund të rrija dot më aty. Vinin njerëz, komshinj, kush kalonte dhe thoshte, ndodhi kjo gjë, po ku ndodhi? Ja tek kjo shtëpia këtu dhe më vinin njerëzit aty afër. Çupa po dëgjonte dhe ia kujtonin prapë dhe thashë të iknim.

Mirela Milori: Ike nga qyteti ku jetoje?

Babai: Po ika që andej.

Mirela Milori: Ku jeton?

Babai: Jetoj në Berat, kam ikur tek vjehrri dhe vjehrra. Kam ndenjur 9-10 ditë. Nuk durova dot më atje u ktheva prapë në shtëpi. Prapë atje njerëzit përgojojnë… ja ky nuk ishte aq i zoti ta ruante fëmijën. Mirë ky s’ka qenë aty, mirëpo nusja, ka humbur fëmija rrugëve, mbahet me kujdes.

Mirela Milori: Ju fajësojnë ju?

Babai: Po na fajësojnë sikur e kemi ne fajin. Nusen nuk e kam mirë, ajo është traumatizuar aq keq, sa më tha mua duhet të mundohesh të bësh të pamundurën të lëvizim nga ky vend, se unë nuk mund të jetoj dot këtu.

Mirela Milori: Miq, shokë, të afërm keni që t’ju rrinë afër në këtë moment?

Babai: Nuk para bëhem, nuk më pëlqejnë se merren me fjalë, me llafe, sidomos ky halli që më ra mua. Nuk e kanë që t’ju vijë keq. Shumica që më takonin në rrugë, më thoshin: Të ngrëntë mortja, pse nuk e vrave më thoshin. Duhet ta kishe vrarë, më thoshin të gjithë. Nuk ndihesha mirë.

Mirela Milori: Të ka vajtur ndonjëherë në mendje të bësh ndonjë gjë ekstreme?

Babai: Më vajti një moment, por mendova fëmijët, thashë do lë fëmijët rrugëve, kaq. Më erdhi një histori prapë në mendje dhe thashë nuk bëhet, do ta shikoj veten time, do ta bluaj, do ta ha në veten time këtë hall që kam./tvklan.al